69 deputetë të parlamentit të Maqedonisë votuan miratimin e përdorimit të gjuhëve, që i jep gjuhës shqipe një shtrirje të gjerë edhe nëpër institucionet e larta shtetërore ku nuk përdorej deri më tani.
69 votat pro ligjit për përdorimin e gjuhëve u arritën nga mbështetja edhe nga deputetë të partive shqiptare jashta koalicionit qeveritar. Ligji sipas parimit të njohur si i Badenterit u votua veçmas edhe nga ligjvënësit e komuniteteve të pakicave, përfshirë ata shqiptarë dhe nga 28 deputetët e pranishëm në sallë 27 ishin pro ndërsa një abstenoi.
Ligji, kështu kaloi leximin e dytë në parlament, pasi leximi i parë qe miratuar në mesin e muajit nëntor. Opozita maqedonas e drejtuar nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në seancë; ajo po bojkoton punimet e parlamentit për shkak të mbajtjes në paraburgim dhe në arrest shtëpie të gjashtë deputetëve të saj të dyshuar për pjesëmarrje në trazirat e dhunshme në parlament më 27 prill, 2016.
Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”. Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.
Kjo ka shkaktuar debate prej disa muajsh nëse gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni apo vetëm avancohet përdorimi i saj.
Sidoqoftë, gjuha shqipe me ligjin e ri pritet të ketë avancim në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale. Ligji do t’i mundësojë mes tjerash, kryetarit të parlamentit, duke qenë shqiptar që seancat të mund t’i drejtojë në gjuhën e tij amtare. Edhe ministrat shqiptarë në seancat e qeverisë të flasin shqip, po ashtu.
Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga shumica parlamentare, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësohet si përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur në gusht të vitit 2001.
Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 për qind të popullsisë së Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, përfshinte një sërë ligjesh që ngritnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe pati mbetur gjatë kohë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare në Maqedoni.
Kryeministri Zoran Zaev pati bërë premtime qysh gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit, 2016 se do të angazhohej për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend. (dw)