Qeveria e Maqedonisë ende nuk i ka dorëzuar projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e ri të Maqedonisë për shkak të konsultave që po bën me tetë deputetët opozitarë maqedonas të VMRO-DPMNE-së, të cilët votuan fazën e kaluar në parlament dhe pritet ta votojnë edhe paketën e ndryshimeve kushtetuese.
Kryeministri Zoran Zaev tha të marten se do të respektohen afatet lidhur me procesin e amendamenteve që burojnë nga Marrëveshja e Prespës. Ndërkohë, ai i quan si tepër ambicioze paralajmërimet e partive shqiptare të opozitës Aleanca për Shqiptarët dhe të njërit krah të Lëvizjes Besa për të propozuar amendamente lidhur me preambulën e Kushtetutës dhe ngritjen e pozitës së shqiptarëve në kushtetutë.
“Jam i bindur se askush nuk ka të drejtë të bëjë çfarëdo lloj kushtëzimesh kundrejt integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE. Me siguri nuk do të lejojmë hapjen e kutisë së Pandorës”, u shpreh zoti Zaev, duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit tashmë është përfshirë në Kushtetutë.
Kryeministri maqedonas tha se nuk pret nga opozita në Maqedoni që ta bllokojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa bëri me dije se është në komunikim të rregullt me kolegun e tij grek Alexis Tsipras dhe se të dytë nuk besojnë në zvarritjen e procesit.
Në këtë kuadër, partia më e madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE duket se është thelluar në një situatë të vështirë që prej se tetë deputetët votuan kundër vullnetit të drejtuesve partiakë. Komiteti Qendror i VMRO-së ka përjashtuar nga partia ish-shefin e sigurimit shtetëror Sasho Mijallkov, i cili konsiderohej si një nga figurat kryesore të partisë dhe ish-ministrin Nikolla Todorov, ndërsa së fundmi ka lëshuar detyrën e kryetares së Lidhjes së Grave të VMRO-DPMNE-së deputetja Daniella Rangellova dhe dy anëtare të tjetra, deputete janë larguar nga organizata për shkak të “politikave përjashtuese dhe izoluese të drejtuesve partiakë”.
Qeveria pritet që deri më 5 nëntor t’i miratojë projekt-amendamentet. Më pas parlamenti ka një afat prej tridhjetë ditësh që të caktojë një seancë për të debatuar mbi to. Kryeministri Zaev pret që në pjesën e dytë të muajit janar të 2019-s të miratohen në parlament ndryshimet kushtetuese. Në këtë rast vendi do të quhej Republika e Maqedonisë së Veriut dhe kjo do t’ia hapte dyert asaj drejt anëtarësimit të shpejtë në NATO dhe drejt përparimit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Por para kësaj, sipas pritshmërive duhet të falen, me gjasë deputetët dhe funksionarët e VMRO-DPMNE-së të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017 në parlamentin e vendit. Kjo është oferta e kryeministrit Zaev, por dhe kusht i tetë deputetëve opozitarë për t’i votuar ndryshimet kushtetuese.
Ndërkaq, policia e ka ndaluar të marten kryetarin e partise pro-ruse Maqedonia e Bashkuar, Janko Baçev, sipas njoftimeve që partia ka bërë përmes Facebook-ut. Ende nuk dihen zyrtarisht arësyet, por dyshohet se ndalimi është bërë për shkak të kërcënimeve që politikani nacionalist ka bërë në rrjetet sociale. Ai njihet edhe për ofendimet kundër shqiptarëve. (voa)