Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov bëri sot të ditur se ka marrë një vendim për “ndërprerjen e të gjitha procedurave penale që janë ngritur kundër politikanëve në Maqedoni, edhe të pushtetit edhe të opozitës”.
Gjatë një konference për mjetet e informimit presidenti Ivanov tha se këtë ia mundëson Kushtetuta e vendit dhe ka vendosur për ta përdorur me qëllim të ruajtjes së interesave shtetërore dhe nacionale, por dhe që të ndihmojë për dhënien fund krizës politike në vend. Kjo krizë, sipas tij, rrezikon ta dëmtojë seriozisht vendin.
Ai nuk ka bërë hollësi në lidhje me emrat e politikanëve të cilët do të përfshihen në vendimin e tij për falje, ndërsa tha se nëse ka lënë ndonjë jashtë listës, do ta rregullojë atë brenda ditëve të ardhshme. Zoti Ivanov tha se nuk është konsultuar me asnjë prej partive politike dhe se po ta bënte një gjë të tillë, atëherë me siguri të gjitha do të refuzonin, siç u shpreh.
Me këtë rast, do të ndërpriten të gjitha procedurat, përfshirë edhe ato të Prokurorisë Speciale që po zhvillohen kundër ish-ministres së brendshme Gordana Jankullovska, ish-ministrit të Transportit, Mile Janakievski dhe një grupi zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Brendshme të dyshuar për vepra kriminale. (voa)