Në Maqedoni partia konservatore VMRO-DPMNE ka paralajmëruar ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për gjuhët, të miratuar dje mes një atmosefere tejet tendosëse. Ndërkaq, autoritetet e rendit kanë njoftuar se kanë shtuar nivelin e sigurisë për ligjvënësit e Lidhjes Social Demokrate. Ligji, për të cilin mendohet se do të zbatohet me vështirësi, mundëson një përdorim të gjerë të gjuhës shqipe në shkallë qendrore dhe lokale.
Reagimet nuk kanë pushuar pas votimit të djeshëm në rrethana tensionuese të ligjit për gjuhët, që i mundëson një shtrirje të gjerë gjuhës shqipe në Maqedoni.
Partia VMRO-DPMNE, e cila kishte paraqitur mbi 35 mijë amendamente ndaj ligjit dhe që u përpoq ta pengonte procesin e votimit, ka paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin e djeshëm të parlamentit në Gjykatën Kushtetuese.
VMRO-ja thotë se shumica parlamentare me Lidhjen Social Demokrate në krye “e shkeli të drejtën dhe degradoi shtetin ligjor duke shpallur ligjin e dygjuhësisë”, sipas opozitës “dhe duke shpërfillur vërejtjen e presidentit të vendit, të ekspertëve dhe të qytetarëve”.
VMRO-ja ka paralajmëruar po ashtu edhe një akt-padi kundër kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi.
Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev e ka cilësuar ligjin për gjuhët si një kontribut serioz për ndërtimin e konceptit “një shoqëri për të gjithë qytetarët”, duke e vlerësuar atë si një vlerë evropiane që paraqet ardhmërinë e Maqedonisë.
Osman Kadriu ka qenë konsulent i partive shqiptare në fazën kur përpilohej ligji për gjuhët, por duke pasur parasysh pozitën e tij tash si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ai nuk mund të komentojë hollësisht çështjen e ligjit, ndërsa thotë se presidenti Gjorgje Ivanov, sipas kushtetutës, detyrohet ta dekretojë ligjin.
Nga ana tjetër, janë bërë mjaft kritika pse kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi toleroi ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe nuk kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të sigurimit të parlamentit.
Ligji i gjuhëve buron nga Marrëveshja e Ohrit, ndërsa një numër analistësh vlerësojnë se zbatimi i ligjit mund të shkojë me vështirësi, ashtu siç është zvarritur për shumë vite zbatimi i një sërë ligjesh të tjera të marrëveshjes së vitit 2001.
Autoritet do t’ia dërgojnë ligjin Komisionit të Venecias për një vlerësim, ndërkohë që këtë sot e ka kërkuar edhe Komisioni Evropian, megjithëse mendimi që do të dalë nga atje nuk ka një karakter detyrues. (voa)