Pyetja e referendumit të ardhshëm mund të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev pas takimit me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë është shprehur lidhur me referendumin e ardhshëm. Ai ka thënë, se pyetja e referendumit mund të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?
Vullneti i qytetarëve vendimtar
“Qytetarët duhet të konsultohen për një çështje kaq të rëndësishme. Vendimin duhet ta sjellë Kuvendi, por vullneti i qytetarëve do të jetë vendimtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjitha forcat politike në Kuvend”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev pas takimit katër orësh të liderëve të partive politike.
Ai tha se referendumi në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen nevojitet të jetë konsultativ. Referendumi konsiderohet përfundimtar nëse të paktën 50 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve dalin në referendum. “Do të thotë pa dallim të karakterit të referendumit vendimi konsiderohet si i suksesshëm në këtë rast. Dhe hapet debat nëse do të jetë konsultativ ose obligues. Konsultativ është kur ne duam t’i konsultojmë bashkëqytetarët tanë dhe pastaj t’i sjellim vendimet, siç është rasti me vendimet për ndryshim të Kushtetutës. Nëse ne vendosim t’i sjellim vendimet për ndryshim të Kushtetutës tani në Parlament edhe i sjellim ato tre vendime dhe pastaj shkojmë atë ta kontrollojmë në referendum, atëherë ai është i plotësuar”, sqaron Zaev.
VMRO-DPMNE braktis takimin e liderëve
Takimi i liderëve është bojkotuar nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE. Lideri i saj Hristijan Mickovski, ka kërkuar që për këto çështje të diskutojnë vetëm katër partitë më të mëdha politike në vend, dy maqedonase dhe dy shqiptare dhe jo të marrin pjesë edhe parti të tjera minore. VMRO gjithashtu kërkon që para referendumit të miratohet Ligji për financimin e partive politike dhe formimin e Qeverisë teknike para zgjedhjeve qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.
“Ne ishim pjesë e takimit të liderëve. Me të vërtetë nuk e kam të qartë konceptin se pse janë ftuar të gjithë liderët e partive politike dhe për shkak revolte e lëshova takimin. I kam thënë Zaevit para të hënës të ftojë takim liderësh nga katër partitë më të mëdha në vend”, ka deklaruar Micksoski.
VMRO-DPMNE përmes një komunikate për media vlerëson se sjellja e Zoran Zaevit është jo shtetërore, jo maqedonase dhe e turpshme. “LSDM po i keqpërdor aspiratat euroatlantike të Maqedonisë për politikat e saja kapitulluese, duke kërkuar mënyra se si t’i izolojë gjithë ata që mendojnë të kundërtën. Zaev dhe shumica qeveritare me vetëdije e shkelin Kushtetutën, ligjet dhe procedurat me qëllim të realizohet marrëveshja kapitulluese për ndryshimin e emrit”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Takim i ri i liderëve
Kryeministri Zaev vlerëson se bojkoti i opozitës është i palogjikshëm, por tha se pranon kërkesën e Mickovskit për një takim më të ngushtë të partive andaj edhe takimin e ri e ka caktuar për ditën e enjte në mesditë. “Nga këtu, kam thirrur një takim tjetër të enjten në ora 12:00 me format më të vogël në të cilin Mickovski do të ketë mundësinë të shprehet, nëse vallë është për një Maqedoni në NATO dhe BE dhe nëse mbështet që qytetarët të shprehen lirshëm për të ardhmen e Maqedonisë”, ka thënë Zaev.
VMRO synon bllokimin e referendumit
Përveç që nuk pritet përafrim i qëndrimeve, takimi i liderëve mund të sjellë komplikime shtesë në politikën e vendit. Kështu vlerëson analisti, Petar Arsovki duke shtuar se opozita do të vazhdojë përpjekjet për bllokimin e referendumit dhe eurointegrimet e vendit. “Më demokratike do të ishte nëse Qeveria dhe opozita do të mund të dakordoheshin për zgjedhje teknike të KSHZ-së. VMRO nuk bën asnjë marrëveshje politike, përderisa nuk e marr komplet pakon”, thotë Petar Arsovski. (dw)