Një gjendje kaotike po mbretëron në parlamentin e Maqedonisë. Pasi shumica e re parlamentare pak para orës 7 të mbrëmjes e zgjodhi Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit, turma e protestuesve maqedonas, mbështetës të partisë VMRO-DMNE e theu kordonin e policisë para ndërtesës dhe një pjesë e tyre kanë hyrë brenda këtij institucioni më të lartë ligjvënës.
Deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe të partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizjes Besa, Aleanca për Shqiptarët nuk dolën nga salla e parlamentit pasi kryesuesi Trajko Velanovski e ndërpreu atë për ta vazhduar nesër dhe e votuan z. Xhaferi, një politikan, përfaqësues i BDI-së, për kryetar të ri.
Turma e demonstruesve para godinës së parlamentit është duke u shtuar. Nuk përjashtohen incidente. Megjithëse, deputetët e partive të shumicës parlamentare janë të ngujuar brenda ndërtesës, ata thonë se nuk janë të shqetësuar. Ndërkohë, bëjnë thirrje për shmangien e provokimeve dhe për gjakftohtësi.
Policia kontrollohet nga kuadro të VMRO-DPMNE-së, përkatësisht nga shefi për siguri në Ministrinë e Brendshme, Mitko Çavkov, ndonëse funksionin e ministrit e ushtron Agim Nuhiu, përfaqësues i BDI-së.
Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee do të shkojë në Maqedoni më 1 maj për të bindur drejtuesit e atjeshëm politikë lidhur me formimin e qeverisë dhe vazhdimin e reformave.
Shqetësime për thellim të krizës politike
Kriza politike dhe institucionale në Maqedoni, mund të përshkallëzohet, sipas vëzhguesve të zhvillimeve politike në vend, nëse faktorët politik këtu nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Parlamenti të enjten e ka vazhduar seancën konstituive në të cilën edhe pas më tepër se një muaji nuk po zgjidhet dot kryetari i parlamentit.
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, si drejtues i shumicës së re parlamentare ka javë që paralajmëron zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe të qeverisë reformatore. Ai tha se “nëse vazhdon bllokada në parlament, kryetari i ri i këtj institucioni mund të zgjidhet edhe jashta sallës, në shkallët e parlamentit, apo në një vend tjetër”.
Ndërkohë, përfaqësues të VMRO-DPMNE-së e cila vazhdon ta mbajë pushtetin me një qeveri teknike, kërcënojnë me trazira nëse gjërat rrjedhin ndryshe. VMRO-ja kërkon që drejtuesit e partive kryesore të ulen në tryezën e bisedimeve për t zgjidhur dallimet.
Analisti Selim Ibrahimi thotë se është më mirë të bisedohet se sa të ketë konflikt në Maqedoni.
Në rast se suspendohen institucionet atëherë kriza mund të shkallëzohet dhe duke patur parasysh protestat e përditshme të përkrahësve të VMRO-DPMNE-së kundër kërkesave të partive shqiptare, atëher gjendja, sipas analistit, mund të shfrytëzohet nga aktorë të ndryshëm brenda ose jashtë vendit për thellimin e tensioneve.
“Gjendja e sigurisë në Maqedoni, sipas kategorizimit, është në nivelin e ngjyrës së verdhë, pra të mosfunksionimit të institucioneve, duke filluar nga parlamenti. Një ndër faktorët kryesorë është ndikimi i aktorëve joshtetërorë, të cilët mund të ndikojnë në zhvillimet politike në vend, por rreziu më i madh vjen nga vetë politika e brendshme. Nga ajo se si politikanët e Maqedonisë i shohin këto zhvillime”, thotë Ibrahimi.
Në këtë kuadër, Selim Ibrahimi nga Qendra për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim,vlerëson se vizita e paralajmëruar e zyrtarit të lartë amerikan Hoyt Brian Yee të hënën mund t’i japë një kahe pozitive zhvillimeve në Shkup:
“Ndërhyrja amerikane, ashtu siç porositën senatorët amerikanë, do të sjellë rezultate në Maqedoni. Por, ajo që duhet parë është propaganda informative ruse që po zë vend në Maqedoni dhe duhet të mendohet se si kjo të kundërshtohet nga amerikanët”, shprehet Ibrahimi.
Maqedonia është zhytur në krizë që prej para dy vjetësh kur Zoran Zaev publikoi bisedat e përgjuara telefonike nga shërbimi sekret të zyrtarëve qeveritarë dhe politikanëve, duke bërë të ditur kështu për një sërë manipulimesh nga ana e tyre. Zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit të cilat synonin t’i japin fund krizës, nuk e arritën qëllimin. (voa)