Maqedoni, thellohet kriza politike

Ivanov GrueskiNë Maqedoni duket se po thellohet kriza politike për shkak të pamundësisë së Nikolla Gruevskit për të formuar kabinetin qeveritar. Presidenti maqedonas nuk u përgjigjet thirrjeve për t’ia dhënë mandatin partisë së dytë më të madhe që doli nga zgjedhjet e 11 dhjetorit. Zoran Zaev nga Lidhja Social Demokrate kërkon që presidenti Ivanov ta respektojë kushtetutën, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të reja. Partitë shqiptare aktualisht kanë mundësinë, si asnjëherë më parë, të vendosin për qeverinë e Maqedonisë.

Dështimi për të formuar kabinetin qeveritar nga i mandatuari Nikolla Gruevski, ka hapur një sërë çështjesh dhe pasigurisë rreth zhvillimeve që pasojnë. Opinioni publik pret që presidenti i vendit t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë më të madhe, që është Lidhja Social Demokrate, por nga zyra e presidentit nuk ka asnjë prononcim.

Një pjesë e ekspertëve ligjorë, megjithatë lë të kuptohet se ligji ka boshlleqe, se presidenti sërish mund t’ia dorëzojë mandatin VMRO-DPMNE-së si parti fituese e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, e cila do të emëronte një tjetër kandidat për kryeministër; të tjerë thonë se mandati tani i takon Lidhjes Social Demokrate për formimin e qeverisë.

Anëtarë të Lidhjes Social Demokrate nuk e kanë fshehur kënaqësinë nga dështimi i të mandatuarit të parë Gruevski, ndërsa drejtuesi i partisë i bëri thirrje presidentit Ivanov që t’ia japë atij mandatin për formimin e qeverisë.

“Gjithçka tjetër, do të paraqiste shkelje të kushtetutës”, tha Zoran Zaev, duke shtuar se qeveria e drejtuar prej tij do t’u garantojë të drejta barabarta të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike apo fetare.

Dy partnerët qeveritarë të nëntë vjetëve të fundit, VMRO dhe BDI e lanë në pritje opinionin publik për njëzet ditë sa kishte afat zoti Gruevski për formimin e qeverisë, për të njoftuar vetëm 20 minuta para skadimit të afatit mbrëmë në mesnatë se nuk u arrit marëveshja midis tyre.

Burime brenda partive thonë se VMRO-DPMNE kishte rënë dakord për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, dhënien e postit të kryetarit të parlamentit BDI-së dhe 6 deri 8 ministri, por se partia shqiptare në çastet e fundit të kishte kërkuar plotësimin e kërkesave nga deklarata e përbashkët e tre partive shqiptare, përkatësisht BDI, Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët.

Pas këtyre zhvillimeve, BDI-ja nuk saktëson nëse opsioni per koalicion me VMRO-në, i parë nga 5 gjithsej, që ishte të jetë lënë mënjanë.

Opsionet tjera të BDI-së janë koalicioni me LSDM, formimi i një qeverie teknike, mbetja e saj në opozitë dhe zgjedhje të reja. Opsioni i fundit është i dëshirueshëm nga VMRO-ja, e cila paralajmëron, nga ana tjetër se mund të pasojnë situata konfliktesh, nëse nëpërkëmbet, siç thotë, vullneti i qytetarëve dhe i votuesve. Kjo gjë nënkuptohet si kërcënim nga vëzhguesit, të cilët nuk shohin ende një zgjidhje të krizës politike, por druajnë nga mundësia e thellimit të mëtejshëm të saj.

Ambasada amerikane ndërkaq, thotë se po e ndjek procesin e formimit të qeverisë ndërsa u bën thirrje partive që të vazhdojnë bisedimet të cilat do t’i çonin drejt formimit të qeverise së re. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>