Maqedoni: Zaev shpalos programin qeveritar

ZaevPretendenti për formimin e qeverisë së Maqedonisë, kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev shpalosi sot programin qeveritar, edhe pse atij nuk po i jepet mandati për formimin e qeverisë.

Në lidhje me çështjen shumë te debatueshme të gjuhës shqipe, Zaev paralajmëroi një ligj për avancimin e gjuhëve që do të ishte në përputhje me kushtetutën e vendit.

“Me ligjin do të zgjerohet përdorimi i gjuhës të cilën e flet më së paku 20 përqind e popullatës, që do të thotë gjuha shqipe”, theksoi zoti Zaev, duke lënë të kuptohet se shqipja do të jetë në komunikim për qytetarët shqiptarë me institucionet shtetërore të Maqedonisë.

“Nëse dikush ka të drejtë të flasë në gjuhën e vetë amtare, me këtë nuk dëmtohen qytetarët e tjerë, por përfiton Maqedonia”, u shpreh drejtuesi social-demokrat.

Ndërkohë, ai tha se shqipja nuk do të përdorej në banknota as në amblemat e uniformave policore e ushtarake, sepse kjo tejlakon kornizat kushtetuese, sipas ekspertëve.

Zoti Zaev shpalosi dhe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe social të qytetarëve dhe të vendit. Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar duke thënë se shqipja do të figurojë edhe në uniformat e forcave policore dhe ushtarake.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e quajti programin e Lidhjes Social Demokrate, si një pamflet partiak, ndërsa akuzoi zotin Zaev se nuk është në gjendje të heqë dorë nga “platforma e Tiranës”, siç e quan VMRO-ja platformën e partive shqiptare të Maqedonisë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>