Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ia dorëzoi të mërkurën në drekë mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev. Presidenti Ivanov më në fund iu bind trysnive të shumta brenda vendit nga qarqe politike dhe akademike dhe kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për ta respektuar kushtetutën e vendit.
Mandatari për kryeministër, Zoran Zaev dy herë i kishte dërguar letër presidentit Ivanov duke i garantuar atij se do të ruhet karakteri unitar i vendit, sovraniteti, tërësia territoriale dhe karakteri shumetnik, qw ishte edhe kushti i presidentit maqedonas që nga shpallja e shumicës së re parlamentare, para pak muajsh.
Presidenti Ivanov u tha gazetarëve se tashmë “u shmangën pengesat për dhënien e mandatit”.
Zoti Zaev ka nje afat prej njëzet ditësh për formimin e kabinetit qeveritar dhe për dorëzimin e programit qeverisës para ligjvënësve në parlament.
Sipas pritjeve, partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët janë të sigurta se do të jenë pjesë e koalicionit të ri qeveritar, ndërsa Lëvizja Besa ende nuk e ka shprehur qëndrimin përfundimtar. Pa këtë të fundit, shumica parlamentare ka 62 vota në parlament, të mjaftueshme për miratimin e qeverisë. (dw)