Maqedonia e V. dhe Bullgaria u rikthehen bisedimeve për kontestet

komision i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe BullgarisëMaqedonia e Veriut dhe Bullgaria këtë javë pritet t’i rikthehen bisedimeve për kapërcimin e dallimeve që çuan në veton bullgare për kornizën për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

I dërguari i posaçëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për bisedime palën bullgare, Vllado Buçkovski, pritet të takohet në Sofje me zëvendëskryeministrin bullgar, Krasimir Karakaçanov, ndërsa sipas mediave bullgare, qëllimi i vizitës është rivendosja e besimit midis dy vendeve si dhe zbatimi i Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, që u nënshkrua më 1 gusht, 2017.

Autoritetet në Sofje ndërkohë kanë thënë se nuk do të ketë zmbrapsje nga pozicioni i tyre dhe se Maqedonia e Veriut do të nisë bisedimet me BE-në, pasi të jenë përmbushur kushtet për heqjen e vetos, të cilën e aplikuan në nëntor të vitit të kaluar.

“Maqedonia e Veriut kishte shansin për të marrë datë për negociata në nëntor të vitit të kaluar, por këtë ajo nuk e donte. Bullgaria nuk vendosi veton, ajo thjesht tha se ata nuk ishin gati për të marr datën për negociata. Bullgaria është ‘për’ zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor…Maqedonia e Veriut ka një shans të ri për të nisur bisedimet me BE-në në janar ose shkurt, nëse ata nënshkruajnë aneksin me 12 pika që kemi paraqitur”, ka deklaruar zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, në një intervistë për televizionin bullgar “Nova”.

Aneksin prej 12 pikësh nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e kanë publikuar. Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë bërë të ditur se gjatë komunikimit të rregullt midis të dy palëve ka një shkëmbim të vazhdueshëm të mendimeve dhe ideve dhe të dy palët shpesh ndajnë propozimet dhe pikëpamjet e tyre duke sqaruar pozicionet, por pa dhënë detaje tjera mbi kërkesat e palës bullgare.

“Për mua, problemi është ai që përcaktohet në Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë. Çdo devijim nga kjo marrëveshje e bën problemin konfuz, të pakuptueshëm…prandaj mendoj se zgjidhja e vetme, formula e vetme është kthimi te parimi i marrëveshjes, gjetja e mekanizmave për ta bërë atë më të shpejtë, më dinamike dhe për të arritur rezultatin e dëshiruar”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Megjithëse autoritetet maqedonase nuk shpalosin detaje se çfarë përmban saktësisht aneksi me 12 pika që Bullgaria i dorëzoi palës maqedonase, nga deklarata e zëvendëskryeministrit bullgar, Krasimir Karakaçanov, është e qartë se nuk ka asgjë të re në të që do të nënkuptonte zbutje të pozicioneve bullgare. Ai ka përsëritur kushtet e vjetra si njohja e origjinës bullgare për gjuhën maqedonase, kontestimi i kombit maqedonas apo pranimi se ka “rrënjë bullgare”, pastaj heqja dorë nga pretendimet territoriale, heqja dorë nga pretendimet historike, ndryshimi i sistemit arsimor, evitimi i gjuhës së urrejtjes, heqja e monumenteve të Luftës së Dytë Botërore, e kërkesa tjera.

Pikërisht këto çështje që janë përmendur nga zyrtari i lartë bullgar kanë bërë që opozita maqedonase të nisë kritika të shumta në adresë të qeverisë, duke kërkuar që t’i sqarojë opinionit se çfarë po negocion me palën bullgare.

“Qeveria e (kryeministrit maqedonas) Zoran Zaevit po negocion për gjuhën dhe identitetin maqedonas larg syve të publikut. Kushtet dhe kërkesat e vendosura para qeverisë maqedonase janë fshehur nga qytetarët. Është e turpshme që për identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase të diskutohet në ekranet televizive në Sofje, pa e ditur askush në Maqedoni se çfarë ka në tryezë”, ka deklaruar Stefan Andonovski nga partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës duke theksuar se asnjëherë nuk do të bisedojë me palën bullgare për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas.

rel

 

Në lidhje me këtë temë lexo edhe:

IluzioniLëvizja për Shtet dhe Drejtësi lëshon këtë komunikatë në media për të qartësuar pozicionin e saj për zhvillimet e fundit lidhur me identitetin e bashkëqytetarëve tanë të deklaruar maqedonas, që së fundmi kulmuan me kërkesën e qeverisë bullgare drejtuar BE-së për t’i ndaluar negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut, derisa vendi kandidat të pranojë se është historikisht dhe gjuhësisht pjesë e Bullgarisë.

Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi denoncon dhe dënon fuqishëm para opinionit publik shqiptar dhe atij të jashtëm rolin prej kuislingu të partive shqiptare  në koalicionin bashkëqeverisës me LSDM, si dhe heshtjen e partive shqiptare opozitare lidhur me këto zhvillime të fundit, duke e paraqitur çështjen e identitetit të përvetësuar nga bashkëqytetarët tanë të deklaruar maqedonas, si çështje që nuk ka të bëjë fare me shqiptarët dhe të ardhmen e tyre në këtë shtet, por vetëm si çështje kontesti dhe marrëveshjesh me fqinjët, fillimisht me Greqisë, e tani me Bullgarinë, gjatë gjithë kohës duke injoruar dhe anashkaluar shqiptarët..

Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi kërkon të ndërgjegjësojë faktorin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm, për faktin e pamohueshëm se statusi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është pjesë e pandashme e problemit dhe e zgjidhjes së krizës, ndaj dhe në asnjë mënyrë nuk duhet injoruar dhe anashkaluar.  Tanimë, është një fakt i bërë publik, madje edhe nga dy ish ministra të jashtëm të Maqedonisë së Veriut, z. Denko Malevski dhe z. Ljubomir Fërçkoski, se krijimi i Maqedonisë në këto kufij, bashkë me gjuhën dhe identitetin maqedonas, është bërë me vendimin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, jetësuar në mbledhjen e parë të KAÇKM (ASNOM) në gusht të vitit 1944, për të përvetësuar territore duke shpallur ardhacakët si autokton, e shqiptarët autokton si ardhacakë .  E për fat të keq po këtë mision dhe funksion ka edhe kushtetuta aktuale e Maqedonisë së Veriut, që për shtyllë juridike ka mu këto vendime të mbledhjes së parë të KAÇKM (ASNOM), të paraqitur në preambulën e saj.
Deklarata  e kryeministri Zoran Zaev dhënë agjencisë bullgare BGNES, se “Jugosllavia na mbante të ndarë” dhe  “unë jam nga Strumica, Banorët e Petriçit (qytet fqinj në territorin bullgar) dhe Strumicës flasin të njëjtën gjuhë” ngrenë shumë pyetje dhe dyshime: – Cilin grup etnik në të vërtetë përfaqëson z. Zaev? Cila është struktura e vërtetë e popullsisë në Republikën e Maqedonisë Veriore dhe cili nga grupimet etnike, sipas kushtetutës në fuqi është bartës i sovranitetit në shtetin unitar të Maqedonisë së Veriut?
Lëvizja për shtet dhe Drejtësi, bën thirrje për ndërgjegjësim përfaqësuesve politikë të të gjitha grupimeve etnike dhe të gjitha forcave progresiste në këtë shtet, për domosdoshmërinë e ridefinimit rrënjësor të kushtetutës, në mënyrë që në këtë akt më të lartë juridik të pasqyrohen të drejtat dhe liritë themelore dhe kolektive të tyre, përfshirë dhe atë të vetëvendosjes me të drejtë shkëputjeje. Vetëm një kushtetutë që do të shprehi vullnetin e lirë të popujve, për të jetuar së bashku, të barabartë  duke respektuar dallimet në mes tyre dhe duke respektuar njëri tjetrin  mund të sigurojë paqen, mirëqenien dhe të ardhmen evropianë të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>