Maqedonia e Veriut me sytë nga SHBA dhe Gjermania

MickoKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka kritikuar BE nga Uashingtoni. Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft lëshime deri më tani në rrugëtimin eurointegrues, ka thënë Mickoski.

“Evropa duhet të respektojë vlerat dhe parimet dhe jo të ketë standarde të dyfishta”, është shprehur me kritika nga Bahskimit Evropian, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në vizitën e tij të fundit në Uashington. Qëndrimin në Amerikë duket se Mickoski e ka shfrytëzuar për të drejtuar kritika të ashpra ndaj Brukselit dhe bilateralizimit të çështjes së Maqedonisë. “Neve na është kërkuar ta ndryshojmë Kushtetutën përsëri për ta futur pakicën bullgare në Kushtetutë , kjo nuk është e drejtë. Vlerat e BE-së janë gjithçka përveç bilateralizim i procesit të BE-së”, ka thënë Hristijan Mickoski.

Ruzhin: Ndikimi i SHBA-ve për eurointegrime, dëshirë në pritje

SHBA e mbështet rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por sipas ekspertit të politikës, dhe profesorit universitar, Nano Ruzhin SHBA nuk do të ketë ndonjë angazhim të posaçëm në këtë drejtim. “Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës po ftohen, veçanërisht në fushën e sigurisë. SHBA po tërhiqet, në çfarë mase dhe si do ta shohim së shpejti. Ndikimi i Amerikës në Evropë do të ndryshojë, kjo është e logjikshme. SHBA-ja do të mbështesë Maqedoninë drejt integrimit evropian, por nuk shoh asnjë mundësi për ndonjë angazhim të posaçëm” shprehet Ruzhin.

Pritshmëri të tjera ka kryeministri Mickoski. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut,Hristijan Mickovski  thotë me krenari se Maqedonia e Veriut ka qenë ndër vendet e para që ka mbështetur administratën e re të presidentit Trump, edhe para ardhjes së tij në këtë pozitë. Sipas tij, ardhja e Trump në krye të SHBA-ve do të sjell një “normalitet të ri” i cili do të mbështetet nga e gjithë bota.

“Ngadalë, por sigurt nga Uashingtoni në të gjithë botën do të fillojë të shpërndahet dhe do të qeverisë normaliteti i ri. Ishim ndër të parët që mbështetëm këtë normalitet dhe vlerësoj se ajo do të jetë masive në periudhën që vijon dhe do të merr mbështetje të madhe në të gjithë botën”, shprehet  Mickoski.

Ibrahimi: Maqedonia po tenton të forcojë pozitat ndajë Bullgarisë

Për analistin Selim Ibraimi, lobi maqedonas qysh në verë ka ndërtuan një marrëdhënie të re me zyrtarë të Trumpit për t’i forcuar pozitat ndaj Bullgarisë dhe njëkohësisht për mos t’i plotësuar kushtet e vëna nga BE-ja për fillimin e negociatave.

“Retorika e ashpër e Mickoskit kundër BE-së ka për qëllim që administrata e Trampit të mbajë anën e Shkupit ndërsa Maqedonia të blejë kohë. Kjo është një kohë e përshtatshme për të gjithë partitë e djathta nga Evropa për të fituar përkrahjen e administratës Trump. Mosmarrëveshja mes Shkupit dhe Sofjes mund të mbetet e hapur duke kalkuluar gjithnjë për kohë më të mira. Se a do të vijnë kohë më të mira për Maqedoninë kjo nuk dihet”, vlerëson Ibrahimi. 

Maqedonia do të intesifikojë edhe më tej bashkëpunimin me Gjermaninë

Kryeministri, Hristijan Mickoski është prononcuar edhe për zgjedhjet e sapopërfunduara në Gjermani. Ai pret përforcim të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë pas fitores së koalicionit CDU/CSU. “Në partneritetin transatlanitk SHBA dhe Gjermania janë hallkat kryesore dhe këtu nuk kemi asnjë dilemë që të jemi të bashkërreshtuar me aleatët tanë”, thotë Mickovski.

Fitorja e partisë simotër në Gjermani CDU/CSU sipas Mickoskit do të mundësoj një bashkëpunim edhe më të frytshëm midis Maqedonisë dhe Gjermanisë . “Le të bashkëpunojmë së bashku për të mirën dhe prosperitetin e qytetarëve tanë. Evropa kërkon ndryshime”, ka shkruar Mickoski  me rastin e fitores së koalicionit CDU/CSU në zgjedhjet parlamentare në Gjermani.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>