Maqedonia e Veriut në pritje të konfirmimit të rezultateve të zgjedhjeve

flamujtKomisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut i ka hedhur poshtë të gjitha 2.142 ankesat e paraqitura nga partitë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut.

Anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se ankesat  nuk kanë pasur nënshkrimin e përfaqësuesit të autorizuar, nuk kanë pasur vulën e paraqitësit të listës dhe nuk janë të mbështetur në prova. Disa nga partitë ankesat e të cilave u refuzuan, kanë kërkuar rishikim të materialit zgjedhor dhe të fletëvotimeve të pavlefshme, por sipas KSHZ-së edhe ato nuk ishin të mbështetur në prova.

Kryetari i KSHZ-së Oliver Derkoski thekson se KSHZ ka bërë kontrollin e gjithë materialit zgjedhor, procerverbalet e të gjitha komisioneve zgjedhore komunale. Në asnjë procesverbal nuk ka vërejtje mbi arsyet e paraqitura në ankesat.

“Me përgjegjësi theksoj se KSHZ ka bërë punën e saj siç duhet konform Kushtetutës dhe ligjeve.Askush nuk duhet të dyshojë në procesin zgjedhor”, është shpreh Oliver Derkoski kryetar i KSHZ-së.

Anëtari i KSHZ-së Boris Kondarko theksoi se Komisioni doli me rezultate të sakta, në kohë dhe të vërteta. Lidhur me kërkesat për numërimin manual të votave Kondarko tha se ajo është e palejueshme dhe e pamundur dhe se çdo fletëvotim u tregohet publikisht të gjithë anëtarëve të këshillave zgjedhorë.

“KSHZ-ja nuk është sportel që partitë të kërkojnë në KSHZ votat që u mungojnë në zgjedhje”, tha Kondarko.

Fjalën përfundimtare e ka Gjykata Administrative

Paraqitësit e ankesave të refuzuara kanë të drejtë ankese në Gjykatën Administrative pas vendimeve të KSHZ-së edhe atë në afat prej 24 orëve nga marrja e vendimeve. Gjykata Administrative është e detyruar të vendosë brenda 60 orëve. Pas vendimit të Gjykatës Administrative dhe marrjes së vendimeve eventuale nga Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore, në KSHZ konform ligjit, Komisioni do t’i shpallë rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas përllogaritjeve të KSHZ-së tani për tani më së shumti mandate ka koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM 46, pastaj vjen koalicioni “Ripërtrirja” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE me 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 , Levica me dy deputetë dhe PDSH një.

Reagimet e partive për ankesat

Nënkryetari i Alternativës, Zekirija Ibrahimi, pas refuzimit të ankesave ka thënë se këto rezultate të KSHZ-së janë skandaloze.

“Një parti që i blen votuesit, vëzhguesit, komisionerët, madje i synon edhe anëtarët e KSHZ-së, të dalë të flasë me gjuhë të moralshme dhe të virgjër sikur nuk ka asnjë mëkat hajnie, kjo është perverse”, deklaron Ibrahimi.

Kurse Bujar Osmani nga BDI thotë se tani të gjithë duhet të bashkëpunojmë që sa më parë t’i formojmë institucionet me qëllim që të ballafaqohemi me pandeminë, me pasojat ekonomike të saj por edhe për përgatitjen për fillimin e negociatave.

“E shtrijmë dorën e bashkëpunimit me të gjithë, pa hatërmbetje t’i përveshim mëngët dhe të punojmë për një jetë më të mirë për të gjithë”, shprehet Osmani.

Mundësitë për koalicionin qeveritar

Të gjitha përllogaritjet partiake fillojnë me 61 deputetë, aq sa është minimumi i nevojshëm për të formuar shumicë qeveritare në Kuvend, nga e cila duhet të vijë mandatari i qeverisë së re i cili duhet të propozojë kryeministrin dhe përbërje qeveritare.

Një opsion për të cilën udhëzojnë numrat nga mandatet e marra është koalicion i sërishëm i LSDM-së dhe BDI-së. Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM dhe partia e Ahmetit së bashku do të kishin saktësisht 61 deputetë. Por që kjo të ndodhë, është kusht që LSDM duhet ta pranojë idenë për kryeministër shqiptar.

Për një shumicë më të qëndrueshme ekziston mundësia edhe Alternativa me Aleancën për Shqiptarët e cila ka 12 deputetë dhe PDSH, e cila ka një, të bashkohet me koalicionin BDI-LSDM. Kështu, shumica e qeverisë do të ishte shumë më e qëndrueshme dhe do të kishte 74 deputetë.

Afati i fundit për mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit është 4 gushti.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>