Projekt-ligji për Prokurorinë publike dhe ai për Mbrojtjen kanë përlasur dy partitë më të mëdha rivale maqedonase dhe kjo vë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen më 12 prill. Parlamenti duhet shpërndahet këtë të diel, më 16 shkurt, në mënyrë që të shpallet zyrtarisht data e zgjedhjeve. Nga Shkupi njofton korrespondenti Isak Ramadani.
Parlamenti ka filluar seancën e shumëpritur për Propozim-ligjin për Prokurorinë publike, një prej reformave të rëndësishme ligjore dhe kusht i vënë nga Lidhja Social Demokrate për zgjedhjet e parakohshme. Mirëpo, deputetët e opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-ja dhe të pushtetit, përkatësisht të Lidhjes Social Demokrate kanë dallime rreth ligjit; Secila prej palëve akuzon kundërshtarët se “përmes ligjit synon amnistinë e zyrtarëve të korruptuar dhe të inkriminuar”.
Për miratimin e ligjit duhen 2/3 e votave në parlamentin prej 120 vendesh.
Debatet rreth ligjit po rrezikojnë madje mbajtjen e zgjedhjeve të paralajmëruara për më 12 prill. Afati i fundit kushtetues për shpërndarjen e parlamentit është data 16 shkurt.
Kryeministri i përkohshëm Oliver Spasovski tha tw premten se pa miratimin e ligjit për Prokurorinë dhe disa ligje të tjera nuk do të shpërndahet parlamenti.
“Ne së pari duhet t’i mirartojmë ligjet që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e këtij shteti dhe më pas të shkojmë në zgjedhje. Ky, – tha Kryeministri Spasovski,- është qëndrimi që e kemi edhe si qeveri edhe si parti, që nga çasti i pare, kështuqë, të gjitha ligjet dhe para së gjithash Ligji për Prokurorinë publike që duhet të japin argumente pozitive në vendimet e Këshillit Evropian mbi bisedimet me BE-në, duhet të jetë me përparësi për të gjitha partitë politike dhe për çdo deputet në parlament”, u shpreh zoti Spasovski.
Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërkohë ka lënë të kuptohet se i mbështetë të gjitha ligjet e paketës së reformave ligjore, teksa ligjvënsi Artan Grubi ka theksuar shpresat se deri të dielën do të kapërcehen dallimet dhe parlamenti të shpërndahet për t’i lënë vend zgjedhjeve të parakohshme. “Nuk ka probleme midis BDI-së dhe Lidhjes Social Demokrate”, tha ligjvënsi, duke hedhur poshtë dilemat në opinionin publik për animin e partisë shqiptare kah VMRO-ja e opozitës.
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi u sugjeron partive që të mblidhen në një takim ndërmjet drejtuesve politik për të zgjidhur mosmarreveshjet.
Nga ana tjetër, ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së thonë se Lidhja Social Demokrate dhe kryetari i saj Zoran Zaev kanë frikë nga humbja në zgjedhje. VMRO-ja, ndërkaq e akuzon ish-kryeministrin Zaev për përfshirje në skandalin e zhvatjes, që aktualisht është duke u proceduar në gjykatë, por social-demokratët u përgjigjen rivalëve djathtisë që ta paraqesin në prokurori çdo dëshmi që mund ta kenë për ngritjen e akuzave eventuale ndaj zotit Zaev.
voa