Të mërkuren pasdite qeveria teknike i kërkoi parlamentit, i cili sipas Kushtetutës është i autorizuari i parë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por kryetari i Parlamentit menjëherë e dërgoi atë akt tek presidenti duke pohuar se nuk mund ta thërrasë parlamentin për të debatuar mbi këtë çështje.
“Vendimi im mbështetet tek neni 125 i Kushtetutës që mundëson një gjë të këtillë, nëse parlamenti për arësye të ndryshme nuk mund të mblidhet. Konkretisht, vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e mora për t’u mbrojtur dhe ballafaquar nga pasojat e përhapjes së virusit COVID-19. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë dhe në momentin kur parlamenti të jetë në gjendje të mblidhet vendimi do t’i dërgohet për konfirmim”, tha zoti Pendarovski.
Gjendja e jashtëzakonshme i mundëson pushtetit ekzekutiv më tepër autorizime dhe ai do të mund t’i shfrytëzojë të gjithat burimet e shtetit dhe ato private. Kjo sipas presidentit, “për ta menaxhuar më me sukses epideminë”.
Në këtë situatë do të duhet të anulohen zgjedhjet e caktuara për më 12 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të shpallen vetëm pasi të krijohen kushte, siç u shpreh presidenti Pendarovski, “për deklarimin e drejtë dhe demokratik të qytetarëve”.
Me që parlamenti është shpërndarë dhe kryetari i tij Talat Xhaferi nuk ishte në gjendje ta thërrasë atë, atëherë organi i dytë shtetërorë i autorizuar është presidenti për ta marrë një vendim të këtillë historik, siç është vlerësuar edhe nga qeveria edhe nga vetë presidenti.
Ndërkohë, numri i të prekurve nga koronavirusi është ngritur në 35, teksa po bëhen testet për tridhjetë banorë të tjerë, pre tyre 17 nga Dibra.
Kryeministri i qeverisë së përkohshme Oliver Spasovski tha më herët në një konferencë për media se situata është e jashtëzakonshme dhe serioze me kërcënime për koronavirusin ndaj shëndetit publik, shëndetit të njerëzve, por edhe ndaj ekonomisë së vendit.
“Kjo kërkon masa të jashtëzakonshme. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, shtoi Spasovski, tashmë nuk ka as dilemën më të vogël. Tash dhe menjëherë të shpallet gjendja e jashtëzakonshm”e, u shpreh ai.
Qeveria kërkon disiplinë dhe zbatimin e masave nga ana e qytetarëve, ndërkohë që thotë se nuk do të cenohen liritë e tyre, por masat mund të shtrëngohen në të ardhmen varësisht me rrethanat e koronavirusit.
Nuk dihet nëse do të zbatohet ora policore. Autoritetet qeveritare janë të bindura se me gjendjen e jashtëzakonshme, që është e barabartë me gjendjen e luftës, do të mbrohej më me sukses shëndeti publik dhe ekonomia e vendit.
Megjithatë, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja ka dyshime lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila sipas saj, do të impononte shumë kufizime. Partia sugjeron gjendjen e krizës.
voa