Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendës-kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, u prit të enjten në Berlin nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, për të diskutuar synimet e Shkupit për të hapur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian muajin e kaluar propozoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe çështja pritet të diskutohet në një takim të ministrave të BE-së gjatë javës së ardhshme në Luksemburg.
Zonja Merkel ka thënë se Bundestagu gjerman do ta marrë vendimin në muajin shtator për këtë çështje.
Në një njoftim të zyrës së kryeministrit Zaev, kancelaria Merkel citohet te ketë thënë se Maqedonia e Veriut ka përmbushur atë që pritej dhe se Berlini e shikon këtë si mjaft pozitive.
Ndërsa kryeministri Zaev, tha se vendi i tij ka besim të plotë tek kancelarja gjermane dhe e mbështetë politikën e saj kundrejt procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, sikundër dhe politikat lidhur me Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se Gjermania është partner strategjik për Maqedoninë e Veriut dhe se dy vendet po punojnë së bashku për politikat e pajtimit në Ballkanin Perëndimor, për qëndrueshmërinë e rajonit dhe për mirëqenien ekonomike, “procese këto që do të përmbylleshin me integrimin në BE”.
Autoritetet maqedonase thonë se këtë vit do të hapen bisedimet dhe se do t’i bashkohen Serbisë dhe Malit të Zi në këtë proces.
Por, nëse data për çeljen e bisedimeve vonon, atëherë, sipas analistëve besimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut tek institucionet evropiane mund të bjerë sikurse edhe mbështetja për qeverinë e drejtuar nga socialdemokratët e zotit Zaev.
Në atë rast, këtij të fundit do t’i duhej të krijojë mundësitë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vet kryeministri Zaev ka paralajmëruar se nëse nuk merret data, atëherë ai do t’ia kthente mandatin presidentit të vendit Stevo Pendarovski. Por, disa analistë e shohin këtë si një lojë politike, meqë presidenti, thonë ata, përsëri do t’ia jepte mandatin zotit Zaev për krijimin e një qeverie të re.
Maqedonia e Veriut shtoi shpresat për hapjen e negociatave pas marrëveshjes së vitit të kaluar me Greqinë për t’i dhënë fund konfliktit rreth emrit.
Por, një ditë më parë, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se “jo të gjitha shtetet anëtare janë të përgatitura për të marrë vendimin për hapjen e negociatave në ditët në vijim”.
voa