Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përshëndeti finalizimin e procesit të antarësimit të Maqedonisë së Veriut në Nato.
Maqedonia e Veriut depozitoi të premten në Uashington instrumentin e NATO-s për anëtarësim. Një procedurë që shënon hapin e fundit të bërjes aleate e NATO-s. Më 30 mars, flamuri i Maqedonisë së Veriut do të ngrihet në selinë e NATO-s për herë të parë.
Në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Shtetit Pompeo shkruan “Sic ka thënë Presidenti Trump, Aleanca e NATO-s ka qenë mburoja për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare për më shumë se 70 vjet. Antarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO sjell një integrim më të madh, reforma më të gjera demokratike dhe stabilitet më të madh në të gjithë rajonin”.
Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski në një video-mesazh thekson se “edhe përskaj periudhës së vështirë nëpër të cilën po kalojmë nuk mundemi t’u gëzohemi dhe t’i shënojmë këto ngjarje ashtu siç ka hije, megjithatë, bëhet fjalë për suksese historike, të cilat pas tre dekadave pavarësi, përfundimisht e vërtetojnë sigurinë maqedonase dhe e garantojnë të ardhmen tonë.”
Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov gjatë një prononcimi të përbashkët me ambasadoren amerikane në Shkup, Kate Mary Byrnes, theksoi se anëtarësimi po bëhet në një kohë sfide globale për shkak të koronavirusit.
“Ceremonia modeste nuk e zvogëlon rëndësinë historike të këtij çasti. Prej sot i kemi SHBA-të si partnere dhe 28 vende të tjera anëtare dhe asnjëherë më nuk do t jemi vetëm”, tha kryediplomati maqedonas.
Ambasadorja amerikane Kate Mary Byrnes duke e përshëndetur aktin e zyrtarizimit të Shkupit në Aleancën e NATO-s theksoi se është krenare për këtë. Edhe ambasdorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchinston e ka përshëndetur këtë akt si dhe zëdhënsja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.
Sekretari i Prgjithsëm i NATO-s Jens Stoltenberg i dëshiroi mirëseardhje Maqedonisë së Veriut në Aleancë duke thënë se “rruga ishte e gjatë por se ia vlejti”.
Autoritetet dhe një numër i madh i popullatës së Maqedonisë së Veriut gjithnjë e kanë dëshirur anëtarësimin në organizatën më të fuqishme ushtarake dhe të sigurisë në mbarë globin. Por, për shkak të koronavirusit ata janë të penguar që ta shënojnë përmes festave këtë rast.
voa