Maqedonia të martën voton Qeverinë e re

zaev ahmetiSeanca parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë është caktuar për të martën, 30 maj. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi kanë njoftuar se mandatari për formimin e Qeverisë, Zoran Zaev ka dorëzuar propozimin për përbërjen e Qeverisë së re, bashkë me programin qeverisës.

Gjatë të dielës, Zoran Zaev, publikoi propozimet për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.

Propozimet kanë marrë mbështetje nga partia e Zaevit, Lidhja Social-Demokrate dhe dy partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Dy partitë politike shqiptare do drejtojnë 7 ministri dhe një dikaster pa portofol.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të drejtojë dikasterin e Euro- Integrimeve, Sistemin Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve, Ministrinë e Drejtësisë, atë të Ekonomisë dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe një ministri pa resor.

Emrat nga BDI

Bujar Osmani, i cili është propozuar të drejtojë dikasterin e Euro-Integrimeve, paraprakisht ka ushtruar detyrën e ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevskit, emri i të cilit përmendet edhe në bisedat e përgjuara për shpërdorim të detyrës.

Ndërkaq, Ramiz Merko, ministër pa resor ka drejtuar Komunën e Strugës për të cilin mësohet se Prokuroria Publike ka ngritur hetime për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare, nën dyshimet për kurdisje të tenderëve.

Hazbi Lika, do të drejtojë dikasterin e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve, ndërkohë që menjëherë pas konfliktit të armatosur ka ushtuar detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, si dhe një mandat ka drejtuar Komunën e Tetovës.

Sadulla Duraku do të drejtojë Ministrinë e Ambientit Jetësor, ndërkohë që aktualisht është kryetar i Komunës së Likovës, zonës më të prekur nga konflikti i armatosur gjatë vitit 2001.

Vetëm dy ministra të propozuar nga BDI-ja, ai i Ekonomisë,Kreshnik Bekteshi dhe ai i Drejtësisë, Bylent Saliu janë emra që më pak njihen në opinion.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë dy Ministri, atë të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar përbërjen e re të ministrave në Qeverinë e Maqedonisë, konsiderojnë se kjo nuk paraqet një fillim të mbarë sa u përket reformave të paralajmëruara nga mandatari, Zoran Zaev.

Sefer Tahiri njohës i çështjeve politike thotë se bëhet fjalë për njerëz të cilët nuk është se shquhen për rezultate të favorshme në realizimin e reformave të sistemit shoqëror. Ai përqendrohet sidomos në ministrat nga radhët e BDI-së.

Vlerësoj se kjo ka të bëjë me strategjinë e Ali Ahmetit dhe partisë që drejton, Bashkimit Demokratik për Integrim, që të rikthejë lojtarët e vjetër. Megjithëse vlerësoj se bëhet gabim strategjik nga ana e kësaj partie dhe liderit të saj, sepse konteksti politik përmes së cilit kalon Maqedonia është krejtësisht tjetër nga periudha e post-konfliktit të armatosur”, thotë Tahiri.

Sipas tij, bëhet fjalë për “njerëz të vjetër nga të cilët pritet të realizojnë reforma të reja”.

Ndërkaq politologu maqedonas, Nikolla Dujovski konsideron se për të realizuar premtimet e dhëna, për një Qeveri reformatore dhe euro-integruese, do të duhej që ministrat e rinj të zgjedhin rreth vetes ekipe personale të dëshmuara dhe jo ushtarë partiakë.

Është koha të shmanget praktika që nga ministri është varur gjithçka. Për të pasur sukses realizimi i konceptit qytetar për të cilin është angazhuar, Zoran Zaev, i cili pritet të zgjidhet për kryeministër, duhet të mobilizohet e tërë shoqëria. Kurse ministrat, të zgjedhin si ekip personalitete me vizion dhe dije të dëshmuar në profesionet e tyre”, thekson Dujovski.

Votimi i Qeverisë pritet të bëhet më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, për shkak të bllokadave të shumta që iu bënë Kuvendit nga partia VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>