Marrëveshja e Shkupit për zgjedhjet e parakohshme

han-gruevski-zaevDrejtuesit e partive kryesore në Maqedoni arritën marrëveshje me ndërmjetësimin e komisionerit Johannes Hahn për dhënien fund të krizës politike në vend.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 24 prill të vitit 2016.
Në orët e para të mëngjesit të së mërkures, komisioneri Hahn nuk e fshehu kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes, pas rreth gjysmë dite bisedimesh.
Zoti Hahn tha se me këtë hapen dyert e BE-së dhe Natos për Maqedoninë, ndërsa marrëveshjen e quajti të përkryer. “Kjo ditë është e shkëlqyer për vendin dhe Maqedonia duhet të krenohet me drejtuesit e saj”, tha ai.
Sipas marrëveshjes, në shtator do të emërohet një prokuror i posaçëm publik, i cili do t’i hapë çështjet e përgjimeve dhe atë të “puçit”.
Nga 15 janari do të emërohet një kryeministër i ri, kurse Lidhja Social Demokrate e opozitës do të marrë pjesë në pesë ministri; do ta propozojë, mes tjerash, ministrin e Punëve të Brendshme.
Zëvendës-ministrat e saj të Financave, Bujqësisë dhe Shoqërisë Informatike do të kenë të drejtën e vetos.
Opozita do të kthehet në punimet e Parlamentit në mesin e muajit shtator.
Dy rivalët politik, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, u shprehën të kënaqur me marrëveshjen. Ndërkohë, kryeministri Gruevski, gjatë një konference shtypi e sulmoi opozitën duke e akuzuar për përpjekje për dështimin e marrëveshjes së 2 qershorit në mënyrë që të mos kishte zgjedhje të parakohshme. “Sepse janë të vetëdijshëm se do ti humbin ato. VMRO-DPMNE-ja do të emërojë kryeministër të ri brenda një periudhe prej 100 ditësh nga 15 janari, 2016. Ramë dakord që LSDM-ja të propozojë ministrin e Brendshëm, i cili në asnjë mënyrë nuk do të jetë i lidhur me ndonjë parti politike”, tha z. Gruevski.
Ndërkaq, Zoran Zaev i opozitës tha se marrëveshja konfirmoi gjithçka që partia e tij dëshmoi më projektin “E vërteta për Maqedoninë” (publikimi i bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë).
“VMRO-ja do të propozojë kryeministër të ri, por ai duhet të jetë një person i pa-inkriminuar. Kërkuam dorëheqjet dhe i fituam; kërkuam që Nikolla Gruevski të mos i organizojë zgjedhjet dhe kjo u bë; kërkuam qeveri kalimtare dhe kjo u realizua. Ajo do të jetë ganarci për zgjedhje të drejta dhe të lira. Zgjedhjet janë prodhimi i fundit i këtij procesi për kthimin e institucioneve demokratike, u shpreh z. Zaev.
Ai tha se kjo marrëveshje garantohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe se askush nuk do të përpiqet ta prishë atë.
Kriza politike në Maqedoni u thellua me publikimin nga opozita të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë, të cilët dëgjoheshin duke folur për manipulime të ndryshme si në gjyqsor, zgjedhje, mjete të informimit, në biznese, etj.
Por, edhe ngjarjet e përgjakshme të 9 dhe 10 majit në Kumanovë, rrethanat dhe motivet e të cilave vazhdojnë të mbeten të pasqaruara, rrezikuan ta fusin vendin në një krizë edhe më të thellë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>