Mbajtja e zgjedhjeve – domosdoshmëri për Maqedoninë

Komisioneri i BE Johannes Hahn kërkon në Shkup që kushtet e zgjedhjeve të realizohen plotësisht. Qytetarët duhet të marrin pjesë lirshëm në to.

hahn-1Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, vizitën e tij në Shkup e filloi me një takim me kryeministrin teknik të Maqedonisë, Emil Dimitriev. Qëllimi i vizitës së Eurokomisionerit Hahn është kontrolli i zhvillimeve politike dhe të diskutohet për rrugën përpara, veçanërisht në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 11 dhjetor të këtij viti si dhe zbatimin e prioriteteve të ardhshme reformuese. Në këtë takim, ashtu siç ka shkruar Hahn, në profilin e tij në rrjetin social Twitter, është biseduar për plotësimin e kushteve për zgjedhje të besueshme, zbatimin e reformave prioritare,  mbështetjen e punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP) dhe për emigrantët.

Para ardhjes në Shkup Hahni ka thënë se ka rëndësi që kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme të realizohen. “Marrëveshja e arritur gjatë verës së kaluar nga ana e të gjitha partive kryesore politike dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është një hap i mirë. Megjithatë, ky është fillimi, me rëndësi është që kushtet e zgjedhjeve të besueshme të realizohen plotësisht dhe qytetarët të marrin pjesë lirshëm në to”, u shpreh Johannes Hahn.

PSP meriton mbështetje të plotë

Mbajtja e zgjedhjeve të 11 dhjetorit duke respektuar Marrëveshjen e Përzhinës dhe funksionimin e Prokurorisë speciale është shumë domethënëse për Maqedoninë, ka theksuar Hahn. Pas takimit me Hahnin, prokurorja speciale Katica Janeva tha se ata kanë diskutuar për vazhdimin e mandatit të PSP-së dhe problemet me të cilat ndeshet ky institucion. Ajo pret që Parlamenti  të miratojë ligjet për punën e PSP para shpërbërjes.

“Pres që Parlamenti t’i miratojë ligjet deri në shpërbërje, shpresoj. Sa i përket themelimit të departamentit special gjyqësor, kjo nuk është obligim dhe punë e imja”, është shprehur Janeva.

Liderët politikë zotohen për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Eurokomisari Hahn ka zhvilluar takime edhe me dy liderët e partive politike shqiptare nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se ka marrë mbështetjen e Hahnit për jetësimin deri në fund të Marrëveshjes së Përzhinës. Për pyetjen se a do t’i mbështesë BDI ligjet e Janevës, Ahmeti thotë se deri në shpërbërjen e Parlamentit nuk ka kohë për marrëveshje të reja. “Mendoj se për të bërë ligje të reja duhet marrëveshje e re dhe aktualisht koha nuk premton për të bërë negociata mbi një marrëveshje të re. Shumë me rëndësi është të respektohet marrëveshja e arritur”, ka deklaruar kryetari i BDI-s Ali Ahmeti.

Lideri i opozitës shqiptare , kryetari i PDSH-s Menduh Thaqi thotë se partia e tij do të mbështesë ligjet për PSP-në, por edhe balancimin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore. PDSH, sipas Thaçit do të jetë partia e parë, e cila do të bojkotojë rezultatin definitiv zgjedhor në rast se i njëti bazohet në parregullsi zgjedhore nga pushteti.

“Ne jemi parti opozitare dhe jemi tërësisht, gjithë kohës të kujdesshëm që nënshkrimi dhe vota jonë asnjëherë të mos interpretohet si lidhje me një parti maqedonase.Deri në momentin kur do të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, VMRO dhe BDI nëse bëjnë një shkelje të vogël, përsëritje të shkeljeve në zgjedhjet e kaluara, këto zgjedhje do të jenë të pavlefshme dhe ne këto zgjedhje do t’i bojkotojmë”, ka thënë Menduh Thaqi.

OJQ-të kërkojnë pjesëmarje në bisedime

Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare të Maqedonisë janë takuar me  Eurokomisarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, dhe i kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me atë se si duhet të zgjidhet kriza politike. Përfaqësuesit e shoqërisë civile deklaruan se patjetër duhet të formohet një departament special, i cili do të punojë në procedimin e rasteve të Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Por për atë ata vlerësojnë se duhet të shpërbëhet Këshilli Gjyqësor dhe përsëri të rizgjidhet që të sigurohet paanshmëri, ka thënë kryetarja e Komitetit të Helsinkit për Maqedoninë, Uranija Pirovska. Shoqëria civile, gjithashtu ka  kërkuar që të kyçet në bisedime, nëse do të ketë në të ardhmen, por jo drejtpërdrejt, por në cilësinë e mbikqyrësve. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>