Merkel në Maqedoni: Në kërkim të historisë së suksesit në Ballkan

MerkelReferendumi i 30 Shtatorit do të tregojë, nëse Maqedonia do të ndryshojë emrin e saj në Maqedonia e Veriut, si pjesë e marrëveshjes historike me Greqinë fqinje. Por pikëpyetje ka, Maqedonia ka nevojë për çdo lloj ndihme.

Maqedonia nuk ka parë shumë personalitete të larta politike dhe diplomatë të lartë që nga fundi i luftës në Kosovë në vitin 1999. E kyçur në mes të Greqisë në jug, Bullgarisë në lindje, Shqipërisë dhe Kosovës në perëndim e Serbisë në veri, ish-republika jugosllave me 2 milionë banorë nuk ka qenë opcioni i parë i vizitës për ndonjë lider botëror. Deri më tani. Historitë e suksesit mes politikanëve europianë janë të rralla këto kohë, aq më pak ato të Ballkanit të trazuar. Maqedonia ka shansin të bëhet një histori e tillë suksesi, por vetëm, nëse e ndryshon emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Më 17 Qershor, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ai grek, Aleksis Tsipras nënshkruan marrëveshjen, të njohur si marrëveshja e Prespës, gati 27 vjet pas negociatave të vështira dhe grindjeve lidhur me emrin historik, Maqedoni. Shumë politikanë europianë psherëtinë të lehtësuar, ndërkohë që të tjetë, si përfaqësuesja e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e cilësuan atë “historike”.

Menjëherë pas kësaj, Maqedonia mori ftesën për t’iu bashkuar NATO-s, e megjithëse Berlini bëri përpjekje për hapjen e shpejtë të negociatave me BE, ato u bllokuan nga Franca e Holanda dhe u shtynë me një vit. Të dyja këto hapa u panë si inkurajim për qeverinë e Shkupit dhe qytetarët e Maqedonisë për të mbështetur referendumin e 30 Shtatorit.

Shumicë e brishtë

Por siç gjërat janë tani ka një pikëpyetje të madhe. Që të ketë sukses referendumi e të ndryshohet emri, qeveria ka nevojë për një shumicë mbi 50% të votuesve që thonë “Po”. Megjithëse sondazhet e fundit të thonë se shumica do ta aprovojë marrëveshjen për emrin, çështja që shkakton ende shqetësim, është se partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE ende nuk ka vendosur, nëse do t’u thotë përkrahësve të saj të shkojnë të votojnë, edhe nëse nuk e mbështesin marrëveshjen.

Disa organizata nacionaliste kanë bërë thirrje për bojkotim të referendumit, duke shpresuar në dështimin e referendumit për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Sipas një sondazhi të publikuar më 6 shtator nga Instituti Maqedonas për Demokraci pjesëmarrja në referendum do jetë afër 46%. Edhe nëse referendumi ka sukses, parlamenti duhet të aprovojë marrëveshjen me një shumicë të cilësuar, 2/3, që është e vështirë për qeverinë aktuale ta arrijë.

Shkupin e vizitoi këtë javë Sekretari i Përgjithëshm i NATO-s, Jesn Stoltenberg. Ai e cilësoi “një mundësi historike” referendumin në një konferencë shtypi me kryeministrin Zoran Zaev. Kjo është mundësi një herë në jetë për t’iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar, për t’u bërë anëtar i NATO-s, por më parë duhet rënë dakord ër marrëveshjen e emrit. Kancelari austriak, Sebastian Kurz qëndron të premten në kryeqytetin maqedonas në një përpjekje për të dhënë mbështetjen pozitive për marrëveshjen me Greqinë.

Vizita “historike” e Merkelit

E shtuna është dita, kur kancelarja, Angela Merkel viziton Maqedoninë. Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov u shpreh për Deutsche Wellen se kjo vizitë “dërgon një sinjal të fuqishëm në një moment historik udhëkryqi – ne kemi shansin historik të ecim përpara drejt anëtarësimit të NATO-s dhe të hapim bisedimet e anëtarësimit”. Perspektiva euroatlantike e Maqedonisë u bllokua nga Greqia në samitin e Bukureshtit në vitin 2008, për shkak të çështjes së emrit. “Kjo është e rëndësishme për Maqedoninë, por edhe për Ballkanin si pjesë e Europës”, shton Dimitrov.

Dita e vizitës së Merkelit u zgjodh me kujdes, si dita e festimeve të Ditës së Pavarësisë, më 8 shtator. Asnjëherë më parë një kancelar gjerman nuk e ka vizituar Maqedoninë, përveç një qëndrimi të shkurtër të kancelarit Gerhard Schröder gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.” Diplomati gjerman, Christian Hellbach është shprehur se “vizita e kancelares duket qartë në mbështetje të zgjidhjes së çështjes së emrit. Dhe ne besojmë se ky është një moment i diplomacisë së mirë, sepse nuk i kemi të shpeshta momente të tilla në botë apo rajon.”

Por mbështetja nuk do të mbetet me kaq. Një javë më vonë e viziton Shkupin, minstsri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, dhe më 19 e 20 Shtator do të qëndrojë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Ish-ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Gudrun Steinacker mendon, se kancelarja Merkel sjell një mesazh të qartë për referendumin. “Merkel me gjasë dëshiron t’i inkurajojë qytetarët e Maqedonisë për të vendosur mbi kompromisin që arritën Zaevi dhe Tsipras”, thotë njohësja e Ballkanit.

Interesi i Gjermanisë për sigurinë

Interesi i shtuar i politikanëve gjermanë mund të duket i papritur, por ai reflekton rritjen e vëmendjes së Berlinit për rajonin në kuadër të një rritjeje të influencës kineze dhe ruse në Ballkanin Perëndimor. Me Bosnje-Hercegovinën dhe konfliktet e vazhdueshme etnike, me alarmin që shkaktojnë idetë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë- duket se Maqedonia ka shansin të prezantohet si mundësia për një histori suksesi në rajonin e brishtë. “Ne jemi të gëzuar që shohim, se Maqedonia po bën përpara, sepse është në interesin tonë, interesin tonë ekonomik. Kemi edhe interesin e sigurisë për vendin tuaj që t’i bashkohet BE dhe NATO-s.”

Një dështim i referendumit do të mund të godiste forcat reformiste në Shkup dhe ndoshta mund të hapë hendeqe të rinj me shumicës maqedonase dhe komunitetit të madh shqiptar në vend. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka bërë të ditur, se do të largohet nga posti, në rast se referendumi nuk e miraton marrëveshjen për emrin me Greqinë. Ministri i Jashtëm Dimitrov vëren se “kancelarja nuk do të vinte, nëse do të bëhej fjalë për politikanët apo partitë. “Vizita zhvillohet, sepse referendumi është për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë.” (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>