Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbështetur sërish perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Merkel tha pas takimit me kryeministrin maqesonas Zoran Zaev se BE vazhdon interesimin për këtë rajon.
Kancelarja Angela Merkel ka kritikuar mungesën e mbështetjes së fuqishme nga Brukseli për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas takimit me kryeministrin e Maqedonië Zoran Zaev në Berlin, kancelarja gjermane tha se pyetja kryesore në këtë moment është “edhe sa kohë nevojitet që paratë e premtuara në kuadër të Procesit të Berlinit të ndahen” dhe që ato të mund të përdoren për projektet e parashikuara në kuadër të zhvillimit ekonomik rajonal. Serbia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë paraqitur projekte të ndryshme për zhvillimin ekonomik të rajonit, ndërsa Bashkimi Evropian ka premtuar se këto projekte do të financohen. Merkel tha se “njerëzit në Ballkanin Perëndimor janë të interesuar për fillimin e ndërtimit të kilometrave të para në infrastrukturë” dhe jo për “sdudimet e projekteve të mundshme”.
BE duhet të veprojë
Bashkimin Evropian duhet të shtojë interesimin dhe veprimin në këtë rajon, sepse atje kanë shtuar infuencën e tyre së fundi edhe Rusia, Kina, Turqia dhe disa vende të tjera. Zaev dhe Merkel theksuan se investimet kineze nuk paraqesin diçka të keqe vetvetiu. Por këto investime nuk duhet të lidhen me kërkesa politike, theksoi kancelarja Merkel. Ndërsa Zaev nënvizoi se për Maqedoninë dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor ekziston vetëm një perspektivë: ajo e anëtarësimit në BE.
Maqedonia pretendon të anëtarësohet edhe në Nato, por në këtë rrugë ka problemin e emrit me Greqinë, e cila ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në këtë Aleancë. “Në 10 vitet e fundit nuk ka qenë zgjidhja kaq afër sa tani”, theksoi Zaev, i cili të martën ka biseduar me kryeministrin grek Alexis Tsipras për këtë çështje. Por zgjidhje përfundimtare ende nuk ka. (dw)