Mësuesit përbëjnë një nga kategoritë më të ekspozuara ndaj lodhjes dhe stresit. Të punuarit me fëmijë, që në klasat e para, por mbi të gjitha, për një kohë të gjatë, për ta është dërrmuese, veçanërisht kur mosha e tyre e daljes në pension është 62 për gratë dhe 64 për burrat. Xhemile Aziri është 57 vjeçe dhe ka 34 vjet përvojë pune si mësuese. Ajo thotë se mosha e daljes në pension është shumë e lartë për këtë kategori, mosha duhet të ishte tek 55 vjetët.
“Ne që jemi punësuar pak më herët e shoh se është e tepërt kjo, ne mundohemi të japim maksimumin mirëpo nuk e kemi atë elan, atë energji që të mund ta punojmë punën. Nëse do të më ishte dhënë shansa unë të pyetem,deri në moshën 50 vjeçe më të vërtet e kom punua punën me vullnet e me dëshirë. Në moshën 50 vjeçe veç ndjeva nga vetja se fillonin disa sëmundje, me këmbën pata pak probleme”, tha Xhemile Aziri, mësuese.
“Mosha më e përshtatshme sipas meje do të ishte mosha 60 vjeçe, sipas mundësive edhe më herët në qoftë se dikush ka probleme shëndetësore. Është obligim tepër i ngarkuar me punua me nxënës për shkak se punojmë me nxënës të vegjël 7 vjeçar dhe ne duhet të jemi sikur nëna e dytë e tyre”, u shpreh Suzana Hamiti, mësuese.
Çështja e stazhit të benifituar edhe për mësimdhënësit është diskutuar disa herë e në Sindikatën e Arsimit dhe Shkencës. Nënkryetari, Ilirjan Çavolii thotë se ky propozim i është shtruar shumë ministrave të arsimit, por asnjëri nuk është shprehur i gatshëm ta vazhdojë atë më tej.
“Si zv/kryetar i SASHK-ut edhe në bisedë me ministrin e Abdylaqim Ademi, edhe me Spiro Ristovskin po edhe Todorovin në atë kohë vazhdimisht kam cekur si punë shumë serioze çfarë do të thotë arsimtari në krahasim me policin, ose me ata të baletit që kanë beneficione. Duhet të bëhet diçka, unë e di se presin një numër shumë i madh i të rinjve, kolegëve tanë që janë pa punë, rinia na ik përjashta për shkak se nuk mund të gjen punë. Nëse këtu bëhet ndonjë hap rigoroz besoj se do të lirohen vende pune”, u shpreh Ilirjan Çavolli, nënkryetar i SASHK-ut.
Në Maqedoni, me stazh të benefituar ose të dyfishtë përfshihen shumë profesione, mes tyre edhe punonjësit ushtarakë, policët, industria grafike, industria e gomave si dhe disa kategori të ndërtimtarisë.
Melihate Rustemi