Ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Besimi flet për rritjen e pagave të zyrtarëve dhe projektet e autostradave

Fatmir BesimiMinistri i Financave të Maqedonisës së Veriut, Fatmir Bislimi gjatë një interviste me Zërin e Amerikës tha se ndërtimi i autostradave të reja në këtë vend mund të kushtojë 1.3 miliardë euro, por kjo shifër mund të rritet apo zvogëlohet varësisht se ne çfarë afati kohor realizohen punimet.

 

Një nga rreziqet për vonesa është mos miratimi i një ligji të ri që do të lejonte punëtorët e kontraktuar nga Bechtel dhe Enka, kompania që ka fituar tenderin, të punojnë deri në 60 orë në javë. Momentalisht, kjo gjë nuk është e lejuar në Maqedoninë e Veriut. Gjatë intervistës me kolegun Artan Haraqija, ministri Bislimi nuk ka pranuar të komentojë akuzat e opozitës se kompanitë vendore që janë përzgjedhur për mbikqyren e punimeve nuk kanë përvojë në projektet e infrastrukturës duke thënë se përgjigjet për këtë duhet të jepen nga agjencia qeveritare që i ka përzgjedhur ato.

Zëri i Amerikës: Zoti Besimi ju ndodheni në Uashington këto ditë për të marrë pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore. Por në vendin tuaj ka një vendim për rritjen prej 78% të pagave për funksionarët shtetërorë, gjë që ka nxitur debate pasi bëhet në një kohë krize, kur qytetarët përballen me rritje inflacioni dhe ngritje të çmimeve. Si e arsyetoni një vendim të tillë?

Fatmir Besimi: Fillimisht të sqarohemi se nuk bëhet fjalë për ndonjë politikë të qeverisë. Është çështje e një ligji që është diskutuar disa vjet. Vendimi ka qenë i ngrirë në të kaluarën për vlerën e pagës mesatare dhe ky është një vendim i Gjykatës Kushtetuese e cila nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me politikat e kësaj qeverie.

Zëri i Amerikës: Megjithatë është një vendim që për stafin e Ministrisë tuaj të rriten pagat për 30%, diçka që ka shkaktuar protesta sidomos tek stafi i Ministrisë së Kulturës, do t’i ndihmoni edhe ata?

Fatmir Besimi: Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të sqarojmë pozicionin e Ministrisë së Financave. Detyra jonë është të mbajmë stabilitetin financiar dhe fiskal sa i përket buxhetit dhe borxhit publik për të siguruar një rritje të konsiderueshme ekonomike dhe sa më të balancuar. Sa i përket sektorit publik e konkretisht pagave në Ministrinë e Financave kjo ishte de fakto si rezultat i presionit të tregut për shkak se në periudhën e fundit pesë vjeçare më shumë se 30% e stafit e kanë lëshuar ministrinë dhe ata kanë qenë nga stafi cilësor. Sa i përket të gjitha tjerave ne kemi një qasje sistemore e cila do të japë mundësinë që pagat në sektorin publik të adaptohen, të korrigjohen çdo vit sipas pagës minimale dhe rritjes së çmimeve dhe rritjes së pagës mesatare brenda ekonomisë.

Zëri i Amerikës: Pra, ju thoni që vendimi nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me Ministrinë e Financave, ndonëse ka një protestë prej stafit të Ministrisë së Kulturës?

Fatmir Besimi: Çështja e Ministrisë së Financave është rregulluar me ligj, ndërsa Ministria e Kulturës kërkon që të rregullohet me një marrëveshje kolektive. Sa i përket Marrëveshjes Kolektive, ne jemi në proces që si qeveri të arrijmë një marrëveshje të përgjithshme për gjithë sektorin publik dhe normalisht një ligj tjetër që është në diskutim publik ku do të rregullohen rrogat e gjithë sektorit publik. Sa i përket Ministrisë së Financave, aty kërkohet cilësi për të shërbyer të gjitha institucionet shtetërore dhe nuk mund të krahasohet me njërin dikaster apo me tjetrin.

Zëri i Amerikës: Te ndalemi te një marrëveshje që qeveria e Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar së fundmi me konsorciumin amerikano-turk, Bechtel dhe Enka. Ka një mori akuzash që janë hedhur për marrëveshjen, deri më sot ende nuk dihet saktë se sa do të kushtojë projekti i ndërtimit të korridorit 8 dhe 10d.

Fatmir Besimi: Gjithsesi, në rend të parë sa i përket financimit ne e kemi paraparë në kornizën buxhetore pesë vjeçare dhe mënyra e financimit është përmes buxhetit nga Ministria e Transportit e deri te Drejtoria e Rrugëve Shtetërore e cila do të kryejë implementimin e kësaj marrëveshjeje sa i përket ndërtimit të korridorit 8 dhe në aspekt të atij financimi, kjo çështje nuk është aspak kontestuese. Sa u përket kostove të përgjithshme dhe marrëveshjes siç janë të paraparë tani duhet rreth 1.3 miliardë euro për pesë vjeçarin që vjen ashtu siç janë procedurat tek sektori i ndërtimit me disa ndryshime varësisht nga punët në terren. Por, këto janë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, pra aspekti i financimit është i konsoliduar. Korridori 8 dhe 10d që e lidh korridorin 8 me korridorin 10, ndërmjet Manastirit dhe Prilepit, është në tërësi ashtu siç është e nënshkruar, 1.3 miliardë euro.

Zëri i Amerikës: Një prej akuzave të shumta që janë hedhur drejt marrëveshjes, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ligjvënës të partive të vogla të shumicës parlamentare është përzgjedhja e kompanive që do të bëjnë mbikqyrjen e projektit. E dimë që është një kompani spanjolle, por kritikat janë sidomos për kompanitë vendore të cilat akuzohen për mungesë përvoje. Njëra prej tyre, sipas kritikave të opozitës, të vetmen pervojë që ka është në industrinë e tekstilit. Sa është e vërtetë kjo?

Fatmir Besimi: Më lejoni të bëjë absolutisht të qartë. Sa i përket korridorit 8, autostrada është projekt stratregjik, infrastrukturor për ekonominë e vendit. Duke u nisur nga kjo bazë, ligji special për këtë projekt është kaluar në parlamentin e Maqedonisë së Veriut me shumicë absolute nga të gjitha subjektet politike, të shumicës parlamentare dhe opozitës. Pra, kemi të bëjmë për një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm ekonomik, por gjeostrategjik për vendin dhe për rajonin.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, unë po iu pyes për përzgjedhjen e kompanive mbikqyrëse të projektit?

Fatmir Besimi: Po e kuptova, ju faleminderit që ma rikujtuat edhe njëherë. Për dallim prej përcaktimit me ligj special të kompanisë që do të merret me ndërtim, pra Bechtel dhe Enka, këtu kemi të bëjmë me një prokurim ndërkombëtar të cilën e ka realizuar ndërmarrja shtetërore, një prokurim ndërkombëtar që ka zgjatur disa muaj dhe sipas procedurës ata kanë bërë përzgjedhjen. Për çdo gjë, për cdo spekulim, për çdo koment tjetër institucionet përkatëse duhet të bëjnë punën e vet dhe të sqarohet çdo dilemë për shkak se besueshmëria e vet projektit është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Keni parë ju që një prej kompanive nuk ka fare përvojë tek mbikqyrja e punimeve që kanë të bëjnë me infrastrukturën?

Fatmir Besimi: Ju tani po më bëni pyetjet që janë për anëtarët e komisionit, të cilët kanë bërë prokurimin, të cilët kanë pasur rregullat e prokurimit para vetës dhe normalisht ligjin para vetës. Për çdo gjë përkatëse kemi institucionet që do të merren me të. Çdo institucion ka prokurimin e vet. Mirëpo, atë që desha të theksoj, jo për të arsyetuar Ministrinë e Financave sepse aspak nuk është temë e Ministrisë së Financave, mirëpo për procesin në tërësi dua të them që jo vetëm ky, të gjitha proceset e tjera e kanë një institucion që e udhëheq këtë proces, në këtë rast është ndërmarrja shtetërore dhe ajo ka rregullat e ligjet e komisionit që përcaktohen për këtë dhe ka institucione të tjera që merren me atë nëse ka mbarëvajtje të procesit apo ka ndonjë shkelje. Çdo fjalë tjetër është spekulative ndërsa institucionet përkatëse nuk e thonë fjalën përkatëse sipas ligjit.

Zëri i Amerikës: Por ndërsa ju jeni anëtar i qeverisë që ka marrë vendimin për kontratën me Bechtel dhe Enka, i keni parë ju se cilat janë këto kompani dhe jeni të kënaqur me përzgjedhjen që është bërë?

Fatmir Besimi: Ne ju besojmë institucioneve dhe ligjit. Institucionet supozojmë dhe besojmë që kanë punuar sipas ligjit dhe procedurave dhe normalisht institucionet përkatëse që duhet të konstatojnë procedurën duhet të japin qëndrimet e tyre lidhur me këtë. Ne ndërsa e kemi pranuar në qeveri atë, është nënshkruar marrëveshja, ne normalisht që kemi besuar në atë që është prezantuar dhe nuk kemi pse të mos besojmë ata persona të caktuar nga qeveria dhe janë njerëz që ne besojmë se punojnë sipas ligjit dhe në fund të fundit secili e ka përgjegjësinë e vet për nënshkrimin që e vendos. Prandaj, në çdo demokraci, në çdo vend ku funksionojnë institucionet ato e mbajnë edhe përgjegjësinë e vet.

Zëri i Amerikës: Një prej akuzave është dhe numri i orëve, koha që punëtorët duhet të punojnë të cilët do të kontraktohen nga Bechtel dhe Enka. Një prej kritikave është se ata do të detyrohen të punojnë deri në 60 orë brenda javës që është në kundërshtim me atë që është e ligjshme në vendin tuaj. Është kjo e vërtetë?

Fatmir Besimi: Së pari, ishte politikë e kësaj qeverie për të shkurtuar orarin, siç ishte përcaktimi i të dielës si ditë jo pune. Në vetë ligjin ekzistues, sa i përket të dielës si ditë jo pune ka përjashtime kur është fjala për qendrat tregtare, fabrikat që kanë proces prodhimi i cili nuk duron ndërprerje brenda fundjavës, dmth ka përjashtime. Kërkesa në këtë projekt ka qenë nëse duam të realizohet në afat siç është paraparë pesë vjeçar, natyra e punës kërkon angazhim më tepër se sa që është ligji aktual. Megjithatë është çështje ligjore që do të rregullojë atë.

Zëri i Amerikës: Që i bie se duhet të miratohet një ligj i ri?

Fatmir Besimi: Ashtu siç parasheh ligji aktual përjashtime për ditën e diel si ditë jo pune, vetë ligji që u miratua nga parlamenti ekzistues ka disa përjashtime nga rregullat dhe vazhdon të mbetet tendenca që të drejtat e punëtorëve të jenë me ditën e diel si ditë jo pune, mirëpo nga natyra e punës, sektorë të veçantë kanë mundësi të bëjnë përjashtime, normalisht për atë do të paguajnë ekstra, një vlerë më të madhe për punëtorët që do të angazhohen në ditët që nuk janë ditë pune. Por megjithatë, për atë duhet të kalohet një ligj i ri.

Zëri i Amerikës: Besoni që i keni votat e mjaftueshme në parlament sepse thashë që ka pasur jo pak kritika, edhe gjatë kësaj jave në komisionet parlamentare kur është diskutuar marrëveshja me Bechtel dhe Enka, një prej pikave që është përmendur ka qenë kjo e 60 orëshit brenda javës dhe nëse nuk kalon kjo dhe shkaktohen vonesa në realizimin e punimeve, atëherë vendi juaj duhet të paguaj më shumë se 1.3 miliardë euro.

Fatmir Besimi: Shihni, askush as që ka ndonjë tendencë të ndryshojë atë që është aktualisht e miratuar si ligj për orët e punës në nivel të ekonomisë kombëtare. Kjo është një kërkesë për realizimin e këtij projekti, në afate të parapara dhe normalisht nëse ajo kalon do të jetë në favor të realizimit. Nëse ato ndryshime nuk do të realizohen ashtu siç janë propozuar në parlament, projekti do të vazhdojë të realizohet dhe implementohet, normalisht sipas vlerësimeve fillestare të vet kompanisë së kontraktuar do të duhet më shumë kohë për disa muaj dhe ato normalisht e kanë koston e vet. Mirëpo, mënyra se si është hartuar kjo kontratë, për çdo fazë do të ketë përcaktim të kostove fikse dhe kjo është një kornizë për të cilën ne po flasim, pra për 1.3 miliardë eurot, ajo mund të jetë më shumë ose më pak.

Zëri i Amerikës: Inflacioni në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 14 %, cfarë masash po ndërmerr qeveria juaj për tu përballur me situatën?

Fatmir Besimi: Aktualisht ne kemi disa masa, duke filluar nga fillimi i krizës energjetike dhe inflacionit. Një nga ato ishte se ne reduktuam disa taksa sic është taksa e TVSH-së për energjinë elektrike, për konsumatorët rezident apo familjet. Pastaj është masa për zvogëlimin e taksave në disa prodhime bazë, TVSH-në dhe akzicën e disa prodhimeve sic janë derivatet e naftës. Pastaj në të njëjtën kohë miratuam ndihmat e drejtpërdrejta për kategori sociale që ishin më të ndjeshme siç janë pensionistët, pastaj kategoritë e tjera që shfrytëzojnë ndihma sociale. Sërish në këtë fillim vit ndërmarrja e masave administrative sa i përket çmimeve të prodhimeve kryesore ushqimore dhe në anën tjetër duke lehtësuar kostot, kemi lejuar më pas kredi të vogla e të mesme për likuiditet me interes me të ulët se sa ato të tregut dhe forma të tjera që kanë nënkuptuar përkrahje për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve apo amvisërive. Pra kjo është një pako e instrumenteve që janë shfrytëzuar gjatë kësaj periudhe

Zëri i Amerikës: Me këto masa të ndërmarra besoni se është evituar rreziku i një krize ekonomike?

Fatmir Besimi: Nëse në aspektin teknik e definojmë, kriza duhet të jetë në dy cikle me rritje negative. Momentalisht nuk kemi rreziqe të tilla, normalisht ajo që ndodh në ekonominë globale dhe atë të Evropës vërehet edhe sipas projeksioneve të reja, mirëpo ajo që është e panjohura është edhe kriza e luftës apo agresonit rus në Ukrainë dhe për këtë në këtë moment askush nuk mund të jap vlerësime të sakta se në çfarë drejtimi, intensiteti do të zhvillohen luftimet në terren në Ukrainë dhe cilat do të jenë ndikimet e kësaj.

Zëri i Amerikës: Ka vërejtje serioze për luftën kundër korrupsionit, vërejtje që janë përmendur në raportet vjetore të Departamentit amerikan të Shtetit dhe raporteve të tjera ndërkombëtare që monitorjnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ka shumë pak dënime ndaj zyrtarëve të shtetit apo ish zyrtarëve, ka pak ndjekje penale ndaj atyre që dyshohen për korrupsion. Mund të në flsini pak për masat që qeveria e vendit tuaj po ndërmerr kundër kësaj dukurie?

Fatmir Besimi: Sa i përket korrupsionit kjo është një dukuri që po e luftojmë në të gjitha aspektet dhe kjo lidhet me atë që ishte një nga pyetjet e juaja, për një procedurë prokurimi. Institucionet përkatëse duhet të bëjnë punën e vet, prokuoria duhet të bëjë punën e vet dhe normalisht dhe sa i përket transparencës që duhet të rritet, kemi një sërë ligjesh që e mundësojnë këtë pastaj kemi komisionin për luftën kundër korrupsionit që gjithashtu është forcuar me ekipe gjatë këtyre dy viteve, është më së dyfishuar numri i të punësuarve atje ka dixhitalizim të sistemit dhe dokumenteve gjithashtu në prokurori dhe në gjyqësor janë rritur jo vetëm pagat por edhe buxheti i tyre që të mund të procesojnë në mënyrë me efikase të gjitha ato procedura dhe de fakto kjo është një angazhim i vazhdueshëm për të luftuar një dukuri e cila dëmton jo vetëm imazhin e vendit, por edhe rritjen ekonomike në vend.

Kjo intervistë është redaktuar për të qenë më e qartë dhe më e përmbledhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>