Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku me homologun e saj Bujar Osmani theksuan bashkërenditjen e politikave të dy vendeve fqinje në procesin e reformave në kuadër të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Dy ministrat kanë biseduar edhe për zhvillimet rajonale, me theks të veçantë për marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë si dhe për sfida të tjera me të cilat përballen dy vendet ballkanike.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat po e bëjnë së bashku rrugën drejt integrimit evropian do të vazhdojnë me këtë ritëm deri sa të mos i pengojë ndonjë prej vendeve të Bllokut. Shkupi e vlerëson durimin e Tiranës zyrtare dhe mirëkuptimin gjatë periudhës sa Bullgaria i kishte vënë veto Maqedonisë së Veriut lidhur me bisedimet për anëtarësim në BE.
Shefat e diplomacisë shqiptare dhe maqedonase thanë se kanë të përbashkëta një sërë çëshjesh me përparësi, ndërsa dy vendet po bëjnë reforma dhe vlerësimin e ligjeve, përkatësisht përshtatjen e tyre me ato të Bashkimit Evropian.
“Me vendosmëri ecim drejt anëtarësimit në BE. Viti 2030 është mundësi reale dhe e arritshme për të dy vendet që të përmbyllin me sukses këtë proces dhe unë personalisht besoj në këtë”, tha Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
“Momenti ku ndodhemi sot është një moment i një rëndësie gjeostrategjike të posaçme, me luftën e Rusisë në Ukrainë, e cila e ka bërë Evropën që të vetëndërgjegjësohet se i nevojitet një qasje shumë më proaktive dhe shumë më srtategjike ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Ministrja e jashtme shqiptare, Olta Xhaçka.
Olta Xhaçka dhe Bujar Osmani kanë diskutuar për lidhjet infrastrukturore siç është Korridori 8, nismat rajonale, për nevojën për më tepër shkëmbim tregtar, bashkëpunimin mbi sfidat kundër sulmeve kibernetike; për kompleksitetin në rajon nga zhvillimet në Ukrainë si dhe mbi Marrëveshjen e fundit në Ohër midis Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova është interesi ynë kombëtar; Ne e kemi Kosovën në mendje dhe zemër saherë marrim një vendim qoftë në MPJ, qoftë në qeveri, por dhe në çdo instancë tjetër të gjithë establishmentit politik në Shqipëri ka mbështetje absolute për Kosovën, për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, për të gjithë procesin e njohjeve dhe për anëtarësimin e saj të mëtejshëm në organizata ndërkombëtare. Ne jemi të koordinuar me Kosovën gjatë gjithë këtij procesi; ne lobojmë për Kosovën ashtu siç lobojmë për Shqipërinë dhe besoj që me normalizimin e marrëdhënieve, me gjithë sa kemi parë gjatë këtyre ditëve në avansimin e dialogut Kosovë – Serbi, mendoj se anëtarësimi i Kosovës në KihE do të bëhet realitet shumë shpejt”, tha kryediplomatja shqiptare.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u shpreh: “Ata (Kosova dhe Serbia) janë fqinjët tanë; dhe ne mirëpresim çdo progres, stabilitet dhe mirëqenie për të gjithë rajonin. Pavarësisht interpretimeve të ndryshme të asaj për çka është dakorduar dhe se çfarë duhet të zbatohet, u pajtuam se ekziston marrëveshje dhe se palët duhet ta zbatojnë atë pa vonesë. Ajo që ne e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishme është që marrëveshja sipas parimeve dhe elementeve të saj të jetë gjithpërfshirëse dhe në një moment të rezultojë në njohje reciproke”.
Zoti Osmani tha se vendi i tij ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), si një vlerë e shtuar si për Këshillin, po ashtu edhe për vetë Kosovën dhe rajonin.
Zonja Xhaçka vlerësoi rolin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si kontribues të qëndrueshmërisë dhe procesit të integrimit evropian të vendit. Ajo u takua edhe me një pjesë të drejtuesve shtetërorë dhe politik në Shkup, teksa ka inkurajuar të gjithë aktorët politikë që të kontribuojnë me konstruktivitet në përmbushjen e angazhimeve dhe për ruajtjen e kësaj dinamike të mirë, siç tha, të avancimit me rezultate konkrete drejt integrimit në Bllokun evropian.
voa