Parlamenti i Maqedonisë, miratoi të premten ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ndryshimin e emrit të saj në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë.
Tetëdhjetë e një deputetë në parlamentin 120 vendesh votuan për ndryshimet kushtetuese, duke miratuar së pari veç e veç katër amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit, me preambulën, me shtetësinë, kujdesin e shtetit për diasporën dhe më pas ligjin kushtetues ose paketën e ndryshimeve kushtetuese. Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, që kundërshtojnë marrëveshjen, bojkotuan votimin.
Shumica parlamentare arriti dy të tretat e nevojshme të votave pas një marrëveshjeje në orët e pasdites mes kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtuesve të krahut opozitar të Lëvizjes Besa, dy ligjënësit e së cilës patën një rol kyç në plotësimin e shumicës së nevojshme për këto ndryshime.
Kryeministri Zaev dhe partia shqiptare ranë dakord që në kushtetutën e re, në përcaktimin e termit të shtetësisë do të përdoren dy emërtime “maqedonase dhe qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për shqiptarët do të ketë një sqarim për përkatësinë e tyre etnike. Po ashtu letërnjoftimet personale do të përfshijnë edhe deklarimin e shtetasve sipas përkatësisë së tyre etnike.
Në preambulën e re të Kushtetutrës thuhet, mes tjerash:
“Qytetarët е Republikës së Maqedonisë, populli maqedon, pjesa e popullit shqiptar, pjesa e popullit turk, e popullit vlleh, popullit serb… duke marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre…”; Nga këtu është hequr referenca “si dhe pjesëtarët e komuniteteve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj e që janë pjesë e popullit…”
Zoti Zaev gjatë mbrojtjes së amendamenteve në parlament, shprehu mirënjohjen për ata deputetë të opozitës të cilët përmes votës së tyre e ndihmuan procesin. Ndërkaq, ligjvënësja Elizabeta Kançevska Milevska nga grupi i tetëshes së përjashtuar prej VMRO_DPMNE-së i hodhi poshtë akuzat dhe ofendimet nga krerët e kësaj partie se “tetë deputetët ishin tradhtarë”, ndërsa pyeti nga foltorja kryetarin e VMRO-së Hristijan Mickovski se cilat ishin alternativat e tij, duke lënë të kuptohet nga ana tjetër se edhe ish-partia e saj në të kaluarën favorizonte një propozim identik për ndryshimin e emrit.
Para parlamentit, dhjetra protestues të mbështetur edhe nga VMRO-ja kishin bllokuar bulevardin, ndërsa lëshonin thirrje ofenduese kundër deputetëve që votuan ndryshimet kushtetuese.
Ndryshimi i emrit të republikës ish-jugosllave përmes amendamenteve kushtetuese pasoi marrëveshjen e 17 qershorit në Prespë midis qeverive të Shkupit dhe Athinës dhe do t’i hapë rrugën Maqedonisë drejt integrimeve më të shpejta në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Por këto ndryshime do të hyjnë në fuqi vetëm pasi parlamenti grek ta ketë ratifikuar marrëveshjen e Prespës.
Ndërkohë në Greqi vazhdon paqartësia për këtë çështje që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohëshme në vend. Kryeministri Alexis Tsipras dhe aleati i tij i së djathtës, shtynë një debat për marrëveshjen me Shkupin, duke e mbajtur çështjen pezull.
Zoti Tsipras ka thënë se do të kërkojë votëbesim nëse humb mbështetjen parlamentare të partisë së djathtë ANEL, Grekët e Pavarur e cila ka thënë se do të votonte kundër marrëveshjes me Maqedoninë nëse ajo sillet në parlament. (voa)