Moska po dështon. Planet strategjike në Ballkan u prishën

ruset“Planet strategjike të Moskës në Ballkan po dështojnë”, thotë “think tank”-u me seli në Londër, “IISS”.

Përpjekjet ruse për të krijuar një bllok prej 4 shtetesh neutrale, ose mbështetëse të Kremlinit, kanë marrë – sipas ekspertëve, – një goditje të fortë, sidomos në Maqedoni e Malin e Zi.

Duke hedhur poshtë pretendimet e lëshuara në mediet britanike e ato perëndimore, se “retë e luftës po grumbullohen sërish mbi Ballkan”, Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike thekson se, rreziku më i madh nuk është ky, por depërtimi i Rusisë në rajon.

Të shënjestruara prej Moskës për t’u kthyer në vende mike janë Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia. Në ndjekjen e këtij objektivi është krijuar ngadalë një rrjet mediash dhe organizatash proruse në mbarë rajonin.

Plot 109 të tilla ekzistojnë vetëm në Serbi, në Maqedoni ka rreth 30, ndërsa është punuar për të ushqyer edhe marrëdhëniet me partitë proserbe, VMRO-DPMNE-në në Maqedoni dhe Frontin Demokratik opozitar në Malin e Zi.

Mekanizmat kryesore ruse të ndikimit në Ballkan përfshijnë faqe interneti, të cilat promovojnë dhe mbulojnë në lavde Vladimir Putinin e fuqinë ushtarake të Rusisë, duke i bërë jehonë linjës zyrtare të “Russia Today” dhe “Sputnik”.

Megjithatë, rezultatet e kësaj fushate – sipas “IISS”, – kanë qenë larg atyre të dëshiruara prej Moskës. Në Maqedoni, VMRO-ja u detyrua të lërë pushtetin, ndërsa Mali i Zi u bë pjesë e aleancës ushtarake të Atlantikut të Veriut, pavarësisht kundërshtimit të tërbuar të Kremlinit.

“Për rrjedhojë, pothuajse i gjithë bregu verior i Mesdheut, nga Gjibraltari deri në kufirin sirian është tani nën kontrollin e NATO-s, – vazhdon “think tank”-u, – dhe flota ruse do ta ketë të pamundur qasjen e shumëdëshiruar në mjediset portuale të Malit të Zi.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>