NATO-ja, thirrje për qetësi në Maqedoni

Nikola+JensSekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha sot se aleanca po i ndjek nga afër ngjarjet në Maqedoni dhe bëri thirrje për qetësi. Ndërkohë, protestuesit e opozitës ngritën çadra sot para parlamentit në Shkup pasi dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një protestë kundër qeverisë dje  dhe sot në mbrëmje pritet të organizohet një protestë në mbështetje të qeverisë.  Maqedonia përballet me një prej krizave më të thella politike që nga shpallja e pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991.

Zoti Stoltenberg tha se alaeanca po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni.

“Maqedonia është një vend që aspiron anëtarësimin më NATO dhe se për këtë arsye ne kemi një marrëdhënie të ngushtë me të”.

Zoti Stoltenberg, foli gjatë një takimi të ministrave të jashtëm dhe të brendshëm të Bashkimit Evropian në Bruksel,  një ditë pasi një tubim anti-qeveritar tërhoqi dhjetra mijëra protestues në Shkup, që valëvisnin flamuj maqedonas dhe shqiptarë në një shenjë uniteti etnik kundër një qeverie që është tronditur prej publikimit të bisedave të përgjuara.

“Besoj thellësisht se demonstratat paqësore janë pjesë e shoqërisë demokratike. E rëndësishme është që të mos ketë më dhunë, të sigurohemi për zhvillimin e institucioneve demokratike dhe që të zbatohet plotësisht shteti ligjor dhe që të shmangim shkallëzimin e krizës dhe konfliktin në Maqedoni”.

Kriza që ka tronditur qeverisjen konservatore nëntë vjeçare të Nikola Gruevskit, është më e rënda që kur diplomacia perëndimore shmangu një luftë të përgjithshme civile pas kryengritjeve në vitin 2001, duke i premtuar Maqedonisë integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Por mosmarrëveshja për emrin me Greqinë, e ka frenuar këtë integrim dhe gjatë kësaj kohe kritikët thonë se zoti Gruevski ka anuar edhe më shumë nga e djathta, duke nxitur nacionalizmin dhe monopolizuar pushtetin në koalicion me BDI-në e drejtuar nga Ali Ahmeti.

Por ndërsa flamujt maqedonas valëviteshin mbi një det çadrash në Shkup, protestuesit thanë se janë të bashkuar.

“Nuk ka ndryshim mes nesh këtu, qofshim ateistë, kosmopolitanë, anarkistë, myslimanë, të krishterë, ne jemi të gjithë një, me një objektiv: t’i themi Gruevskit dhe regjimit të tij, që të ikin”, tha demonstruesi nga Kumanova Stefan Jovanocski.

Diplomatët perëndimorë po përpiqen të negociojnë një zgjidhje për krizën, të shqetësuar nga efekti që paqëndrueshmëria politike mund të ketë tek paqja ndër-etnike. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>