Biljana Sekulovska, një nga gazetarët e rrjetit të mediumeve që hulumtuan mbi ndikimin rus dhe serb në Maqedoni dhe gjetën se shërbimet e dy vendeve kanë synuar frenimin e proceseve integruese të Maqedonisë në Aleancën e Natos dhe në B.E., thotë se dokumentet që u publikuan lënë të kuptohet se ndikimi i shërbimeve të inteligjencës ruse dhe serbe ishte shtrirë në të gjitha poret e shoqërisë maqedonase.
“Propaganda më së shumti bëhet nëpërmjet medias me mbështetjen edhe të faktorëve të tjerë ”, thotë gazetarja Sekullovska, ndërsa paralajmëron se brenda një të ardhmeje të afërt do të publikohen njoftime shtesë në mënyrë të hollësishme.
Analisti Mirçe Adamçevski, i cili është njohës i mirë i zhvillimeve në Rusi dhe i raporteve në mes Moskës dhe vendeve të Ballkanit, duke qenë për disa vjet korrespondent i shtypit maqedonas në Rusi, thotë se burimet që janë paraqitur në dokumentet e fundit, janë të sakta dhe se ai nuk e shikon këtë si ndonjë gjë të re, meqë shërbimet e zbulimit, janë gjithmonë të pranishme në vende ku gjendja nuk është e qëndrueshme.
“Shkupi është bërë një lloj Kazablanke. Kam burime që më konfirmonin se njerëz të ardhur nëpër ambasada janë spiunë dhe e gjithë kjo për arësye të gendjes së krijuar në Maqedoni”, shton z. Adamçevski
Ai thotë se gjatë protestave të asaj që njihej si “Revolucioni i larmë” në Shkup kishin ardhur pesë, gjashtë ekipe televizive ruse “të cilat pretendonin se në Maqedoni po bëhej një skenar ukrainas”.
“Propaganda kryesore ruse vinte nëpërmjet Serbisë, nga media serbe e nxitur nga disa rryma në Serbi të cilat synojnë krijimin e zonës së ashtuquajtur neutrale ushtarake në Ballkan të njohur si B4”, thotë Adamçevski.
Ndërsa, gazetarja e kronikave hulumtuese, Sekullovska thotë se përfaqësues të qeverisë ruse ia kanë kërkuar edhe zyrtarisht qeverisë së Maqedonisë largimin nga integrimet euro-atlantike. Ajo vlerëson se gjatë disa viteve të fundit një numër analistësh e kanë hedhur poshtë mundësinë e përzierjes dhe ndikimit të forcuar rus në Maqedoni, për çka gazetarja thotë se është për t’u habitur.
“Se cilat do të jenë pasojat (e pranisë dhe përzierjes së shërbimit rus), mund të paramendojmë”, thotë Biljana Sekullovska, ndërkohë që vlerëson se përfaqësues rusë dhe maqedonas do të kenë takime zyrtare për t’i diskutuar këto çështje. Por ajo nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit të bisedave të zyrtarëve rusëve edhe me zyrtarë të VMRO-DPMNE-së sepse, siç thotë ajo, “qeveria e Gruevskit kishte mbështetje të fuqishme nga Moska zyrtare”.
Analisti Mirçe Adamçevski mendon se Rusia nuk do të heqë dorë nga ajo që ka bërë deri tash në Maqedoni dhe do të bëjë trysni që të formohet e ashtuquajtura zonë B4. “Duhet të vlerësohet dëmi i bërë nga kundërzbuluesit rusë, të identifikohen dhe nëse duhet, të dëbohen”, thotë ai.
Gazeta The Guardian nxorri shkrimin e Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) në bashkëpunim me gazetarët e NovaTV dhe Krik, të cilët u referoheshin dokumenteve të agjentëve maqedonas që tregojnë përpjekjet për izolimin e Maqedonisë. Roli i Rusisë dhe veprimtaria e spiunazhit, sipas OCCRP ka zgjatur gati dhjetë vjet në republikën e vogël ballkanike.
Në dokumente thuhet se tre agjentë nga shërbimi i zbulimit të huaj të Rusisë, të njohur dikur me emrin KGB, janë të stacionuar në Shkup dhe mbikëqyren nga stacioni simotër i shërbimit në Beograd.
OCCRP thotë gjithashtu se ambasada e Rusisë në Maqedoni ka një numër agjentësh të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) “aktivitetet e të cilëve koordinohen nga baza e saj në Sofje”.
Autoritetet maqedonase vetëm para ca kohësh lanë të kuptophet se një tjetër agjent, Goran Zhivaljeviç i shërbimit sekret serb BIA kishte qenë i pranishëm gjatë trazirave brenda parlamentit të Maqedonisë, më 27 prill. Agjenti është regjistruar nga kamerat e sigurisë së parlamentit në turmën e njerëzve që e pushtuan atë. Beogradi tha se ishte detyrë e tij të raportonte për gendjen dhe se ai po shihte nëse në trazira ishin përfshirë edhe shtetas serbë.
Por, hetimet e organeve maqedonase kanë nxjerrë në pah, sipas gazetarëve investigativë, se Zhivaljeviç së bashku me deputetin e pakicës serbe në Maqedoni Ivan Stoilkoviç që është në partneritet me VMRO-DPMNE, bënin propagandë destabilizuese, për çka agjentët maqedonas kanë qenë në dijeni prej kohësh, sipas raportit të gazetarëve. Nga ana tjetër, janë dy deputetë maqedonas të cilët ua kishin hapur dyert e parlamentit bandave që sulmuan social-demokratët e z. Zaev dhe Ziadin Selën e LR-PDSH-së. Deri tash, nuk dihet nëse veprimet e deputetëve të VMRO-së ndërlidhen me agjentin serb ose ata rusë.
Ministria e Jashtme e Rusisë e ka hedhur poshtë shkrimin e gazetës The Guardian duke e quajtur atë një përpjekje të trashë për të zhvendosur përgjegjësinë e futjes së shtetit maqedonas në një krizë të thellë”.
Moska, ndërkaq akuzon aktorë të B.E.-së dhe të SHBA se “nuk dënuan platformën famëkeqe të Tiranës, si manifestim i ideologjisë së Shqipërisë së Madhe”, siç thuhet në një komunikatë.
Ndërkaq, Ministria e jashtme maqedonase në një komunikatë dërguar Zërit të Amerikës jep një përgjigje mjaft diplomatike pa theksuar thelbin e problemit. Qeveria e re e Maqedonisë, shkruhet në komunikatë, do t’i forcojë përpjekjet për zbatimin e axhendës reformatore në rrugën drejt B.E.-së dhe NATO-s dhe do të punojë më përkushtim për arritjen e synimeve politike të jashtme të vendit. Do të përkrahim marrëdhënie konstruktive që kanë vullnet të mirë me të gjithë partnerët dhe miqtë e Republikës së Maqedonisë, përfshirë edhe Federatën Ruse, thekson komunikata. (voa)