Treshja e deputetëve të Parlamentit Evropian konfirmoi sot përmes një komunikate fillimin e negociatave për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.
Eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howitt përmes një deklarate për mediat kanë informuar se të hënën më 30 mars në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel do të nisin negociatat midis dy partive politike VMRO-DPMNE dhe LSDM, me qëllim të tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.
Tre eurodeputetët kanë bërë të ditur se negociatat do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Siç mësohet, nga pala e VMRO-DPMNE-së është caktuar ministri i jashtëm Nikola Popovski, ndërsa nga pala e opozitës maqedonase zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmila Sheqerinska. Në këto negociata janë përjashtuar përfaqësuesit e partive kryesore shqiptare dhe se deri tani nuk ka asnjë përgjigje për pjesëmarrjen e ndonjërit nga përfaqësuesit e tyre, për shkak të formatit tashmë të përcaktuar. Treshja evropiane pritet të ketë rol lehtësues dhe jo ndërmjetësues, që palët përmes dialogut të arrijnë pikat e përbashkëta të një marrëveshje të mundshme. Pritjet e Brukselit janë që opozita të kthehet në Parlament dhe ti jepet fund krizës politike, duke i hapur rrugë zgjidhjes institucionale për aferën e përgjimeve dhe rastin “Puç” të ngritur kundër Zoran Zaev.
Dialogu në Bruksel pritet të zgjas për disa orë dhe se është përcaktuar një orar nga ora 11 deri në orën 18 të pasdites, me ç’rast përveç tre eurodeputetëve do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Komisionit Evropian. (INA)