Foto e Konakut të Pashës në Tetovë, 1915
“Shqipëria duhet t’u përkasë shqiptarëve edhe nën sundimin e sulltanit të largët, qoftë që ata të jenë shqiptarë katolikë apo myslimanëve. Prandaj është e natyrshme që paratë e padishahut shkojnë për myslimanët (shqiptarë), por ato para duhet dhe është e pranueshme që të shkojnë edhe për katolikët (shqiptarë), por ama askush nuk duhet të përzihet shumë në punët shqiptare, askush nuk duhet ta pengojë shqiptarin që ai të jetojë si të dojë, në të kundërt do të ketë krisma armësh!”, shkruante autori francez, Max Choublier, i cili ka qëndruar në tokat shqiptare për tetë vjet, gjegjësisht prej vitit 1904 deri më 1912
Max Choublier
Bektashiu shqiptar dhe shqiptari i varfër më tepër e preferojnë që ta kenë mbi njëfarë kujdestari (në origjinal është mjeshtri, S.L.) që nuk i mërzit ata, që nuk vjel taksa, që i lë ata të veprojnë të lirë dhe si të duan. Edhe ashtu në vendin e tyre mjaftojnë bejlerët e mëdhenj me agjitacionet e ngritura të tyre, pasi dihet qartë se për të bërë pasurinë, të mëdhenjtë me shumë dëshirë i vënë të vegjlit në situata fatkeqe. Këta bejlerë të mëdhenj do të ishin të aftë, për më tepër, t’i jepnin Shqipërisë sundimtarë, por Shqipëria duhet t’u përkasë shqiptarëve edhe nën sundimin e sulltanit të largët, qoftë që ata të jenë shqiptarë katolikë apo myslimanëve. Prandaj është e natyrshme që paratë e padishahut shkojnë për myslimanët (shqiptarë), por ato para duhet dhe është e pranueshme që të shkojnë edhe për katolikët (shqiptarë), por ama askush nuk duhet të përzihet shumë në punët shqiptare, askush nuk duhet ta pengojë shqiptarin që ai të jetojë si të dojë, në të kundërt do të ketë krisma armësh!
Nuk duhet harruar se në shekujt e mëhershëm bektashinjtë lulëzuan duke qenë të këndshëm ndaj (popujve) vendor. Ata dhuruan bamirësi ashtu siç u ka hije njerëzve të mirë, ishin të dashur në sjellje me popujt ballkanikë etj. Ata shpesh e theksonin si detyrë supreme bamirësinë, sepse sipas Kur’anit: “Ata që nuk ua dhanë kurrë ushqimin e tyre të varfërve do të shkojnë në ferr….“. Ali Baba, do të thoshte dhe besoj se fraza nuk është e tij “se parajsa vjen si shpërblim; por lumturia është para së gjithash të jetosh ashtu siç duhet”. Me pak fjalë, bektashinjtë e Tetovës nuk dalloheshin aspak prej një bashkësie morale dhe të mirë, me emër fetar, por në radhë të parë ata ishin të preokupuar me realizmin e një ideali me karakter kombëtar e demokratik. Ata padashur dhe në mënyrë indirekte ndihmuan në ndarjen e fesë myslimane dhe pushtetit osman, sepse në “udhëkryqin” e Maqedonisë kishte veprime dhe reagime të gjalla ose dëshira dhe ide të cilat u përplasën mes vete. Megjithatë, duhet theksuar veçmas se aspirata e tyre për një ideal kombëtar kishte përparësi ndaj idealit fetar islam. Kujtimet e mia për bektashinjtë e Tetovës datojnë nga vjeshta e vitit 1905.
Vrasja e bektashinjve në Tetovë dhe jeniçerët shqiptarë
Dhjetë vjet më vonë, luftërat ballkanike e kishin trazuar Rumelinë; ushtritë serbe kishin marrë Tetovën, krerët e teqesë, ishin rrahur keq me shkopinj, ishin hedhur në rrugë ose ishin vrarë. Ali Baba kishte vdekur dhe këndi simpatik ku këndonin bilbilat nuk ekzistonte më. Në formën e saktë në të cilën e pashë të jetonte në Rumeli, rendi i vjetër i bektashinjve u zhduk, por prej tyre u ruajt një mënyrë e jetesës në Shqipërinë e pavarur. Shqipëria u përpoq t’i përshtatej rrjedhës aktuale të gjërave, por njëkohësisht duke e ruajtur mënyrën e jetesës bektashiane, prandaj u arrit që të ruhej një pjesë e tipareve thelbësore bektashiane… Vitin e kaluar në një komunikim verbal i krahasova bektashinjtë e parë me dervishët rebelë, ndoshta pasardhës të largët të karmatëve, të cilët e vunë në rrezik fronin perandorak në vitin 1410, si dhe të atyre që në vitin 1525, nën nxitjen e njëfarë Kalender Oglu, që pretendonte se ishte pasardhës i Haxhi Bekteshit, morën pjesë në revoltën e Karamanisë. Nëse nuk mund të administrohet prova dokumentare e disa filiacioneve, kujtesa e këtyre ngjarjeve duhet të mbetet e lidhur në studimin e bektashinjve dhe traktateve më të vjetra si dhe më të fundit që ne i njohim për barazinë shoqërore dhe sinkretizmin fetar. Të unifikuar në veprimtarinë e tyre me sulltanin, në të njëjtën kohë me shtimin e numrit të teqeve, bektashinjtë u bënë kapelanë të jeniçerëve, domethënë të një trupe ushtarësh gjysmë- heretikë. Ata ruajtën një pjesë të frymës së tyre të lashtë të rendit mendor, mistik dhe revolucionar dhe në të njëjtën kohë u përparuan në një forcë dhe pasuri, duke zhvilluar autonominë e tyre në dëm të pushtetit qendror dhe duke e ndjekur procesin e përgjithshëm që më vonë e atakoi fuqinë e Perandorisë Osmane. Pikërisht gjatë kësaj periudhe që shtrihet nga Sulejmani I deri te Sulltan Mahmudi II u formua grupi shqiptar i urdhrit jeniçer. Ligji për ekuivalencën e feve dhe ideali egalitar i bektashinjve e favorizuan rendin e tyre por edhe përhapjen e doktrinave të tyre në Shqipërinë indiferente ndaj Islamit, por njëkohësisht ky vend ishte një terren pjellor për ushtarët që konvertoheshin vetëm për të hyrë në shërbim (jeniçer). Kur nga Sulejmani I, jeniçerëve aktivë iu shtuan pensionistët, amelmantët dhe oturakët dhe u formuan trupa të vërteta profesionale dhe më pas u emëruan jeniçerë nderi, fitues të prerogativave që i bashkëngjit titullit, në Shqipëri lindën qytete të vërteta jeniçerësh. Jeniçerët, gjysmë jeniçerët dhe të afërmit e tyre, thuajse të gjithë ishin të lidhur me rendin bektashi; shumë jeniçerë pas largimit nga shërbimi aktiv morën betimet e tyre. Kështu, në të njëjtën kohë kur shqiptarët myslimanë po konvertoheshin në bektashizëm, teqetë bektashiane të Rumelisë u populluan nga vendas dhe ato e fituan një frymë kombëtare të panjohur për ata (jeniçerët) të Turqisë aziatike. Gjatë shekujve XVII dhe XVIII jeniçerët dhe bektashinjtë në Rumeli u shndërruan në një ingranazh të rëndësishëm të feudalizmin mysliman, feudalizmit demokratik të zbutur nga marrëdhëniet e besimit të vërtetë midis liderit dhe vasalit, madje edhe të feve të ndryshme pasi siç është e njohur, shqiptari ka qenë gjithmonë shqiptar edhe përpara se ai të ishte katolik apo mysliman.
Për bektashinjtë shqiptarë atdheu është mbi të gjitha
Shkatërrimi i njëkohshëm i jeniçerëve dhe bektashinjve nga Sulltan Mahmudi, sidomos heqja e pasurisë së këtyre të fundit, vetëm sa i afroi ata në avantazhin e popullit shqiptar. Kur unë i takova për herë të parë bektashinjtë shqiptarë ishin të tillë, përfaqësues të një borgjezie të moderuar, patriotike, të vogël dhe të pajisur me ideale humanitare. Dr. Norbert Jokl përktheu në gjermanisht një himn (lutje), të poetit kombëtar shqiptar Naim bej Frashër për bektashinjtë. Naim bej lartëson mirësinë, bamirësinë, vëllazërinë, urtësinë e bektashinjve, dhe mbi të gjitha e bën fenë e tyre morale për të cilën Zoti është sinonim i dashurisë: dashuria për Zotin, dashuria për njerëzit etj. Në këtë himn (lutje) thuhet se ai që e ndjek gjithmonë rrugën e dashurisë është një bektashi i vërtetë dhe për më nuk ka nevojë shumë. Ata (bektashinjtë) si shpirti i duan të gjithë burrat myslimanë dhe të krishterë… por mbi të gjitha, ata e duan atdheun e tyre dhe miqtë e atdheut të tyre, sepse Atdheu është më i miri prej të gjitha të mirave. Tendenca e këtij himni (lutjeje) është më shumë se ajo vetë për t’u mbajtur mend. Ajo pasqyron shpirtin bektashian. Nga thellësia e prejardhjes islame del koncepti fetar dhe shoqëror se jeta e tyre në Rumeli u dyfishua me nacionalizmin shqiptar dhe bektashinjtë shqiptarë mbetën të tillë dhe padyshim se ata do të mbeten ashtu deri në shpërbërjen përfundimtare ndaj të së cilës sot kërcënohen. Historia e tyre është leksion në vete dhe projeksion i një të shkuare të largët në të tashmen, sepse ata janë pjesë dhe në të njëjtën kohë shpjegim i një fakti më të përgjithshëm…
Kaosi ballkanik në vitet 1900 – 1915
Por, në kaosin e tmerrit kur nga viti 1900 deri në vitin 1915 popujt ballkanik u goditën nga vuajtjet deri në shfarosje thuajse të plotë, në këtë anarki ku turqit, bullgarët, serbët, grekët, shqiptarët shkëmbenin goditje aq të ashpra mes vete, çështjet fetare në ndjenjat e njerëzve të paktën, edhe pse vazhdimisht shtroheshin nga palët ndërluftues, kurrë nuk kanë pasur ndikim por çështjet fetare e kanë pasur më tepër një rol shumë të fshehur dhe të padukshëm. Ndoshta edhe kishat që ishin të përfshira në kauza kombëtare, të nënshtruara ndaj veprimeve politike, u tretën në një veprim që nuk ishte në rendin e tyre, sepse u pa qartë që nuk është mirë që besimi të përzihet në çështjet laike. Dhe kjo ishte e vërtetë jo vetëm për grekët ortodoksë, bullgarët ekzarkistë, shqiptarët katolikë, myslimanë apo bektashinj, por edhe për turqit myslimanë. Maqedonia, vendtakimi i të gjitha feve të Lindjes Mesdhetare dhe që u bë matricë e kombësive, ishte në fakt vendi i zgjedhjes së lëvizjes kombëtare turke, e cila nga Selaniku u përhap në të gjithë perandorinë. Ndërsa nuk duhet harruar se shumë nga udhëheqësit e saj kanë lindur në këtë mjedis relativisht indiferent ndaj çështjeve të fesë…
Autori francez, Max Choublier, gjatë qëndrimit të tij në tokat shqiptare prej vitit 1904 deri më 1912, në vjeshtën e vitit 1905 kishte vizituar Teqenë e Tetovës dhe me këtë rast nuk mungojnë as imazhet nga vizita dhe mikpritja që i është bërë atij në këtë qendër me ndikim në atë kohë. Shkrimi i Max Choublier “Bektashinjtë e Rumelisë” u botua në revistën “Revue des Etudes İslamiques” në vitin 1927. Ky version – pjesë e tretë e shkrimit – është i shkurtuar, ndërsa tituj dhe nëntitujt janë Skënder Latifit që e ka përgatitur këtë shkrim
koha