Katër liderët e partive politike në Maqedoni kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e nesërm në Bruksel, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike.
Delegacionet e partive politike udhëtuan që sot në drejtim të Brukselit, me qëndrime tashmë të konfirmuara.VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja ndeshen rreth përbërjes së Qeverisë e cila do të organizojë zgjedhjet e paralajmëruara për prill të vitit të ardhshëm.
Kryeministri Gruevski këmbëngul që Qeveria duhet të reflektojë vullnetin e popullit, të shprehur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai hedh poshtë çdo lloj qeverie kalimtare të cilën nuk do ta udhëhiqte kryeministri aktual. Sidoqoftë, informacionet jozyrtare thonë se vijat e kuqe të kompromisit për Gruevskin mund të jenë ruajtja e të drejtës që VMRO DPMNE-ja të nominojë kryeministrin dhe disa nga ministrat në Qeverinë e mundshme kalimtare.
LSDM-ja nga ana tjetër, nuk do të pranonte asnjë lloj përbërje qeverie që do të udhëhiqej nga Nikolla Gruevski, ose nëse marrin pjesë figura të inkriminuara nga përgjimet e publikuara deri tani. Zaev dje, edhe publikisht u shpreh i gatshëm për kompromis rreth propozuesit të kryeministrit të Qeverisë kalimtare, nëse Gruevski pranon të tërhiqet nga posti i tij.
Për opozitën, më e rëndësishme është garantimi ndërkombëtar i procesit të çkriminalizimit të institucioneve dhe hetimi i pavarur i përgjegjësve për përgjimin dhe indikacioneve të tjera që zbuluan bombat e deritanishme. Kjo, sipas opozitës do të mund të arrihej vetëm me shkarkimin e prokurorit aktual dhe emërimit të një prokurori të pavarur shtetëror.
LSDM-ja dhe opinioni në vend janë skeptik dhe të rezervuar lidhur me rolin e ndërmjetësuesit të këtyre bisedimeve, euro-komisarit Johanes Han, sidomos pas deklaratës së tij në Uashington, ku tha se OSBE/ODIHR-i i paska cilësuar si pozitive zgjedhjet e fundit në Maqedoni. Ai më vonë u sqarua në bisedë telefonike me liderin opozitar dhe përmes një komunikate gjatë ditës së djeshme.
Megjithatë, ish ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni Eruan Fuere dhe ish ambasadori i Maqedonisë në SHBA Nikolla Dimitrov, përmes një letre të përbashkët kritikojnë qasjen e deritanishme të komisarit Han, duke vlerësuar se ai ka humbur kontakt me realitetin. Fuere dhe Dimitrov përkujtojnë se nuk është hera e parë që Johanes Han jep deklarata të tilla dhe më pas bëhet pishman, duke lënë pas vetes, dëmin e kryer. Një deklaratë të tillë kundërthënëse, Hani e kishte bërë edhe për lirinë e mediave në Serbi, që detyroi zyrën e tij të jepte sqarime shtesë, të kundërta me deklaratat e numrit 1 të Komisionit Evropian.
“Komisari, më shumë se të tjerët, duhet ta dijë se çështjet sikurse liria e mediave, financimi i partive politike dhe aftësia e tyre të udhëheqin fushatë pa presione, si dhe përdorimi i fondeve shtetërore nga partia në pushtet, janë gjithashtu pjesë e vlerësimit të standardeve demokratike. Që nga ardhja e kryeministrit Nikolla Gruevski në pushtet në vitin 2006, zgjedhjet në Maqedoni kanë qenë problematike. Shkeljet e njëjta janë përsëritur ose dhe më keq, janë rritur me kalimin e kohës”, thuhet në letrën e Dimitrovit dhe Fueres.
Bisedimet do të zhvillohen nesër në Bruksel në formatin 1+1, liderët dhe nga një anëtar i secilës palë, si dhe me pjesëmarrjen e euro-komisarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han, në rolin e ndërmjetësuesit. Benjamin Arifi