Prokuroria Publike e Maqedonisë ka ngritur akuza kundër 29 personave për pjesëmarrje në ngjarjet e Kumanovës më 09 dhe 10 maj. Vendimi, thonë nga institucioni, është miratuar në bazë të dëshmive nga hetimi
“Të pandehurit akuzohen për vepra penale”, “Organizim terrorist” nga neni 394 -a dhe “Terrorizëm” nga neni 394-b i Kodit Penal. Prokurori kompetent në të njëjtën kohë dorëzoi një Propozim për vazhdimin e masës- Paraburgim për të akuzuarit”, thonë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë.
Ngritjen e akuzës e konfirmoi Gjykata Themelore Shkup 1, prej nga sqaruan se akti tani do të shkojë në vlerësim.
“Aktakuza është caktuar për vendim në Këshill për vlerësim të aktakuzës”.
Sipas prokurorisë publike, 9 nga të akuzuarit janë shtetas të Maqedonisë, 18 nga Kosova dhe dy kanë shtetësi të dyfishtë të Kosovës dhe Shqipërisë apo shtetësi kosovare-gjermane. Për një person në vijim është procesi i ekstradimit nga Kosova. Në aktakuzë deri më tani nuk janë përfshirë personat aksioneve të fundit. Vijon hetimi edhe për dhjetë persona, pesë prej të cilëve janë në paraburgim, dy janë në arrest shtëpiak dhe tre janë të pakapshëm. Në luftimet në lagjen e trimave në Kumanovë mes forcave speciale policore dhe një grupi të armatosur i prezantuar si “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, janë vrarë 18 persona, prej tyre 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit ndërsa 29 të tjerë janë arrestuar, shumica e të cilave janë shtetas të Kosovës.
Alsat-M