Nis gjykimi për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë

kuvendi rmNë Gjykatën Penale në Shkup, të martën ka filluar gjykimi ndaj 31 personave, pjesëmarrës në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar, të cilët ngarkohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rregullit kushtetues dhe sigurisë”. Ndërkaq, dy persona të tjerë akuzohen për asistim në kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas akuzës, ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë janë realizuar përmes një aksioni i cili ka qenë mirë i koordinuar.

Më 27 prill të vitit 2017, një grup protestuesish u futën me dhunë në Kuvendin e Maqedonisë, ku u sulmuan deputetët, në mesin e tëcilëve ishte dhe kryeministri aktual i Maqedonisë Zoran Zaev, por më së keqi e pësoi deputeti Zijadin Sela, i cili mori lëndime të rënda trupore.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Mitko Cavkov, ish-ministër i Punëve të Brendshme, pesë deputetë të VMRO-DPMNE-së, drejtuesit e protestave të njohur si “Lëvizja për Maqedoni të përbashkët”, pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit, artisët ,etj.

Ndërkaq, për ditët në vijim janë caktuar edhe 37 termine për seancën kryesore.

Avokatët mbrojtës kanë pas një varg vërejtjesh sa i përket marrjes së dëshmive në kohë nga Prokuroria. Njëherësh, avokatët mbrojtës kanë kërkuar ndarjen e procedurës në disa lëndë, për shkak të numrit të madh të të pandehurve.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se me shumë rëndësi është që i tërë procesi të jetë transparent, por mbi të gjitha të zgjerohet hetimi. Ata kërkojnë që sa më parë, para bankës së të akuzuarave të gjenden jo vetëm aktorët e ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, por edhe ata që urdhëruan ushtrimin e dhunës në Institucionin ligjvënës në ditën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferit.

“Nëse trupi gjykues ka disponim për të ardhur deri tek urdhërdhënësi, duhet ta zgjerojë hetimin. Në procedurat penale me rëndësi është planifikimi, argumentimi i tërë procesit gjyqësorë…Shpresoj të zgjerohet procedura hetimore sepse vetëm në atë mënyrë mund të arrihet deri tek urdhërdhënësi. Por, si duket gjithçka ngec në zgjerimin e procedurës penale për të hutuar opinionin, e vetëm e vetëm që të mos arrihet deri tek urdhërdhënësit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bashkim Selmani ish-gjykatës, aktualisht ligjërues i së Drejtës Penale në Universitetin Tetovës.

Ndryshe, zyrtarët e VMRO-DPMNE-së në vazhdimësi kanë kërkuar amnisti për të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit. Por, ata në Kuvend nuk kanë dorëzuar ndonjë propozim-ligj konkret, përmes së cilit do të kërkohej amnistia për të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje. Këtë gjë e ka bërë Lëvizja “Për Maqedoni të Përbashkët”.

Zyrtarët e pushtetit në vazhdimësi kanë theksuar se amnisti për këtë çështje nuk do të ketë.

Gjatë mbajtjes së seancës gjyqësore, një grup i protestuesve në mbështetje të të pandehurve, para Gjykatës së Shkupit ka brohoritur “Lironi vëllezërit tanë patriotë ”, “Evropa është mafi”, NATO Fashiste” etj. Për të parandaluar incidentet eventuale, para Gjykatës së Shkupit është u vendos kordoni policor. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>