Një delegacion i Komisionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës qëndroi të marten në Maqedoni për t’u njohur me gjendjen në këtë vend, pas skandalit të madh të përgjimeve që ka shkaktuar thellimin e krizës politike.
Delegacioni në përbërje Stefan Shenah, kryetar i Komisionit vëshgues, Robert Valter, raportues për dialogun me Maqedoninë dhe Andreas Gros, kryetar i grupit të Socialistëve në Asamblenë Parlamentare, është takuar me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanovski, me komisionin për marrëdhënie me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës si dhe me komisionin për çështje kushtetuese të Parlamentit të Maqedonisë.
Mes tjerash, zyrtarët evropianë janë interesuar edhe mbi bojkotin e punimeve të Parlamentit nga opoziuat maqedonase, ndërkohë që si delegacioni poashtu edhe autoritetet maqedonase e kanë vlerësuar pjesëmarrjen në Parlament si një institucion që ka rëndësi jetike për ndërtimin e demokracisë dhe funksionimin e shoqërisë, si të domosdoshme.
Pjesëtarët e delegacionit evropian, poashtu kanë shprehur shpresa se “urat në mes komuniteteve të ndryshme etnike janë të qëndrueshme dhe se presin një zgjidhje pozitive të gjendjes aktuale politike në Maqedoni”.
Nga ana tjetër, gjendja duket e tensionuar dhe retorika e partive rivale vetëm se po ashpërsohet. Lidhja Social Demokrate e opozitës parlalajmëron protesta të mëdha në muajin maj, ndërkohë që pret të publikojë biseda të përgjuara midis zyrtarëve qeveritarë mbi dy-tre procese të mëdha gjyqësore, të cilat nga një pjesë e popullatës në Maqedoni vlerësohen si të sajuara.
Analistët mendojnë se kriza politika po ndikon dhe në gjendjen e sigurisë, ndërkohë që për këtë ka mendime se pushteti, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga kriza reale, po sajon incidente në fshatrat shqiptare, në kufi me Kosovën. Edhe drejtuesi opozitar Zoran Zaev tha të marten se kishte informacion se incidenti në fshatin Goshincë, të ishte vepër e vetë strukturave të sigurisë së Maqedonië, por se nuk mund ta konfirmonte plotësisht këtë. (voa)