Burrat e Kombit s’ Hidhen në harresë
– Çka i thoshin Mehmetriza Murtezanit-Gegës, inspektorët e UDB-së në Tetovë.
– Kalvari i Gegës fillon në mars të vitit 1948, kur emërohet mësues në Nerasht të Tetovës, ku pas një muaji shpallet “informbyroist” dhe dërgohet për hetuesi në Beograd.
– Si e zunë organet e Sigurimit Shtetëror “Mandelën tetovar”, me afishe në Shkup.
– Gega ishte prijës dhe ideolog i rinisë tetovare për demonstratat e 1968-ës.
Tashmë kanë kaluar 55 vjet nga demonstratat e njohura të Tetovës të mbajtura më 22-23 dhjetor 1968, të parat në Maqedoni, në kohën e komunizmit më të egër, të ushtruar me shumë persekutime mbi popullin shqiptar në ish-Jugosllavi. Me këtë rast, me pietet të posaçëm kujtohet i pari i grupit, ideologu i këtyre demonstratave që tronditën regjimin komunist të atij shteti, i cili ishte i padrejtë me shqiptarët. Ishte ky Mehmetriza Murtezani – Gega nga Tetova, patrioti sypatrembur për çështjen kombëtare shqiptare, një atdhetar i madh, i cili sakrifikoi veten dhe familjen, për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.
Për kauzën shqiptare ishte angazhuar që në moshën më të re, duke shndërruar jetën e tij në një “skëterrë”, prapa grilave të burgut të Idrizovës në Shkup. Veprimtarinë e tij atdhetare e vazhdoi edhe pas paraqitjes së pluralizmit partiak (1990), kur iu vu në shërbim të popullit, duke marrë pjesë në shumë tubime, protesta, shënim-data, jubile, konferenca, tryeza etj., duke ndihmuar edhe punën e partive politike shqiptare, pa u përcaktuar për asnjë parti, me të vetmin qëllim që të sendërtoheshin synimet shekullore të shqiptarëve.
Mehmetriza Gega ishte i dashur, i mirëpritur dhe i respektuar kudo ku paraqitej mes popullit. Njerëzit e afronin me respekt të veçantë, sepse e nderonin si një veprimtar të dëshmuar me kohë, si një njeri me guxim deri në fanatizëm, njeri që kishte vuajtje në shpirt dhe zemër, të cilat i bartte nga burgjet ndëshkuese komuniste. Një kohë, Gegën e njihnin edhe si “Mandela i Tetovës”, sepse shumë vite kishte kaluar në burgje, për veprimtari ilegale politike e patriotike. Inspektorët e SPB të Tetovës e këshillonin që të mos merrej me politikë: “Politika është një lavire, së cilës ia sheh sherrin!”, i thoshin sa herë që para tyre s’pranonte se është marrë me politikë. Gjithçka që bëri, ishte për të mirën e popullit të vet dhe asnjëherë nuk u tremb nga pasojat.
Shtigjet jetësore të tij ishin përplot vuajtje, persekutime e dënime të rënda me burg. Duke kujtuar fillimet e veprimit të vet atdhetar, kishte thënë: “Në mars të vitit 1948, zura punë në shkollën fillore të fshatit Nerasht të Tetovës. Ishte kohë e Informbyrosë. Vetëm një muaj më pas, pa kurrfarë shpjegimesh, më arrestojnë dhe më dërgojnë në një burg të hetuesisë në Beograd, me pretekst se jam informbyroist. Kur panë se nuk jam as informbyroist dhe as komunist, pas një muaji më lëshuan nga burgu”, kishte shpaluar autorit të këtij punimi, këto kujtime përplot me vuajtje e përndjekje, që në vitin 2005, derisa Mehmetriza Gega ishte në jetë.
Nga burgu hetues i Beogradit sërish ishte kthyer në shkollën e Nerashtit, ku me angazhimin e tij dhe të kolegëve kishte shtuar numrin e nxënësve prej 60 në 240 sish, duke përfshirë edhe shtimin e numrit të vajzave. Pas katër vjet pune të suksesshme, e transferojnë në fshatin Grupçin, ku, pas një kohe të shkurtër, Inspektorati i Arsimit e kishte pezulluar nga puna.
“Nuk e di shkakun e largimit tim nga puna, por supozoja se ishim tepër të angazhuar në përfshirjen e nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, përderisa pushteti punonte në një kurs tjetër, për hapjen e shkollave turke, në vitet 1950-1952”, ishte shprehur Gega.
Ishte kjo një kohë e zymtë për shqiptarët, të cilët, për shkak të presioneve të shumta të pushtetit të atëhershëm, detyroheshin të shpërnguleshin për në Turqi. Arsimtarët ishin ata që pengonin këtë proces të projektuar nga pushtetarët, ndaj dhe vazhdimisht ishin të përndjekur. Sistemi i egër komunist i asaj kohe nuk lejonte veprimtari legale, andaj ata vepronin në konspiracion dhe në ilegalitet të plotë, duke përgatitur dhe duke shpërndarë afishe me këto përmbajtje: “Mos shkoni në Turqi!”, “Vendi ynë është këtu!”, “Këtu do ta gjejmë lirinë!” etj.
Një ditë, nga ato të mes-viteve të 50-ta të shekullit të kaluar, organet e sigurimit shtetëror e kishin zënë në rrugë Gegën me afishe e parulla të shkruara, që duhej t’i shpërndante në rrethinën e Shkupit, ndaj dhe e kishin arrestuar. Pasojnë pesë muaj hetime të mundimshme në Tetovë, Gostivar dhe Shkup. Ndërkaq, aktakuza e ngarkonte për diçka krejt tjetër, “për shkëputje të këtyre viseve të Jugosllavisë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë”. Për këtë shkak, me kodin penal të legjislaturës së atëhershme, dënohet me 10 vjet heqje lirie në burgun e Idrizovës, prej të cilëve 5 vjet në izolim të plotë. Pas afër shtatë vjetësh vuajtje dënimi, me një amnisti të përgjithshme, lirohet nga burgu në mars të vitit 1962.
Pas gjashtë vjet jete jashtë grilave të burgut, menjëherë pas shpërthimit të demonstratave shqiptare në Tetovë, më 22 e 23 dhjetor të vitit 1968, organet e sigurimit shtetëror sërish e arrestojnë Mehmetriza Gegën, si ideolog kryesor.
“Kisha bërë disa vjet stazh pune në fabrikën e tekstilit “Teteks” të Tetovës, kur më 24 dhjetor, një ditë pas demonstratave në Tetovë, sërish më arrestojnë organet e sigurimit shtetëror dhe më mbyllin në Burgun e Tetovës. Pas dy javë keqtrajtimesh, ma dorëzojnë aktakuzën, në të cilën cilësohem si prijës i “demonstratave armiqësore” të vitit 1968 në Tetovë, ndërsa aty ishin radhitur edhe emrat e 14 personave të tjerë të “grupit”, në mesin e të cilëve kishte studentë, arsimtarë, punëtorë etj. Sipas aktakuzës, “kjo organizatë ka dashur që me dhunë ta bëjë shkëputjen e viseve perëndimore të Maqedonisë dhe bashkimin e tyre me Kosovën dhe Shqipërinë”.
Hetimet kishin zgjatur 5-6 muaj, deri në gjysmën e vitit 1969, kur në Gjykatën e Qarkut në Shkup kishte filluar procesi gjyqësor. “Prokurori më akuzonte për atë që kisha vënë në spikamë padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve në një shoqëri socialiste, ku të gjithë duhej të ishin të barabartë, pavarësisht nga përkatësia kombëtare”, shprehej me atë rast Gega, duke shtuar se kishte vërtetuar me argumente se ka shumë diskriminime që u bëhen shqiptarëve, përballë maqedonasve, të cilët kishin të gjitha të drejtat.
Sipas tij, gjykimi kishte qenë i inskenuar dhe kishte momente tragjike-komike, sepse dëshmitarët, të cilët ishin “përpunuar” nga policia, dilnin qesharakë gjatë seancave gjyqësore. “Ashtu siç mund të pritej nga organet e një sistemi totalitar, pas një procesi gjyqësor që zgjati një muaj, trupi gjykues më dënoi me shtatë vjet heqje lirie, të cilën e kam vuajtur në burgun e Idrizovës, prej nga, me një vit amnisti, lirohem më 24 dhjetor të vitit 1974, në përvjetorin e gjashtë të demonstratave të Tetovës”, kishte deklaruar asokohe, Mehmetriza Gega, në një bisedë me autorin e këtij shkrimi, të cilën pranoi ta bëjë, ndonëse ishte në moshë të shtyrë dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore.
Ismail Arsllani