Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, vitin e ri shkollor në shtator do ta nisin me prani fizike. Vendimi i Qeverisë u mor me kërkesë të Ministrisë së Arsimit dhe rekomandim të shtabit qendror të krizës për menaxhim të pandemisë.
Vendimi përjashton nxënësit me sëmundje kronike ose që kanë një anëtar të familjes me një sëmundje kronike. Mësimi online do të ndiqet nga nxënësit që do të jenë në izolim.
“Nga shtatori mësimi do të nisë me prani fizike. Procesi mësimor do të vazhdojë derisa të lejojë gjendja epidemiologjike dhe në rast të përkeqësimit të saj ne do të kalojmë në modelet tjera që kemi në dispozicion. Vitin e kaluar ne treguam se mund të kemi një vit shkollor të suksesshëm online, por nuk ka arsimim më të mirë sesa ai me prani fizike sepse përvojat si në botë ashtu edhe në vendin tonë tregojnë se shëndeti mendor dhe socializimi janë pjesë e të mësuarit. Shkollat tashmë janë trajnuar, ka protokolle, vitin e kaluar ato ishin të hapura për nxënësit më të vegjël dhe ne nuk kishim ndonjë përhapje të virusit. Prandaj, për këtë vit, në interes të nxënësve”, ka deklaruar Ministrja e Arsimit, Milla Carovska.
Por, mësimi online ishte kritikuar në vazhdimësi nga nxënësit, prindërit dhe shoqatat e mësimdhënësve duke e vlerësuar si të dështuar për shkak të mospajisjes së një platforme të përbashkët, mungesës së internetit dhe pajisjeve në shumë shkolla.
Ndërkohë, Ministrja e Arsimit, Carovska u ka bërë thirrje mësuesve që të vaksinohen si mundësi e vetme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Deri më tani, mbi 62 për qind e tyre janë vaksinuar.
“Do të isha shumë e kënaqur nëse arrijmë 80 për qind. Mësuesit po kthehen nga pushimet dhe jam e sigurt se do të ketë një fushatë tjetër më të madhe vaksinimi deri në shtator dhe ne do të ndihemi edhe më të sigurt në shkolla”, ka deklaruar Carovska.
rel