78 organizata joqeveritare nëpërmjet një letre drejtuar Kryetarit të Komisionit Europian (KE) Zhan-Kllod Junker dhe institucioneve të tjera europiane, kërkojnë që BE-ja të insistojë për përmbushjen e parakushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe jo datën e zgjedhjeve. Sipas tyre madje vendimi për organizimin e zgjedhjeve më 24 prill është jo-kushtetues dhe i njëanshëm.
“Në kushte kur nuk janë realizuar rekomandimet themelore për reforma, dhe kur nuk janë sjellë para drejtësisë pjesëmarrësit në krimin parazgjedhor, konsiderojmë që është skandaloz, i njëanshëm, me dashje dhe anti-kushtetues, vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve më 24 prill, nga ana e Kuvendit të RM-së, në mungesë të pjesës së madhe të opozitës. Jo më pak skandaloze është edhe mungesa e dënimit të këtij vendimi të njëanshëm nga Komisioni Evropian”, deklaroi Biljana Bejkova, NV Info Qendër.
Organizatat joqeveritare kanë shprehur shqetësim të thellë edhe për dështimin e vendit në përmbushjen e reformave që parashikonte raporti i Pribes dhe reformat urgjente prioritare si mënyrë e vetme për daljen nga kriza politike.
“Përkundër kërkesave të Komisionit Evropian për reforma urgjente, për fat të keq, kemi konstatuar që gjatë shtatë muajve të fundit: Nuk janë ndërmarrë hapa konkrete për de-politizim të gjyqësorit, nuk ka sinjale të qarta që mbikëqyrja gjyqësore dhe parlamentare mbi DSK funksionon, madje që është ndërprerë qasja e drejtpërdrejtë e DSK-së për përgjimin e komunikimeve, pengohet dhe ndalohet pavarësia e trupave rregullator dhe mbikëqyrës, nuk ka masa konkrete për de-partizim të administratës publike, nuk janë ndërmarrë masa për ndarjen e aktiviteteve partiake nga ato shtetërore”, u shpreh Irena Stefoska, Platforma për politikë qytetare “Ajde”.
Ata kanë shfaqur shqetësimin e tyre lidhur me ndikimin e pushtetit tek mediat, dhe pengesat në punën e Prokurorisë Speciale. Aktivistët e organizatave qytetare kërkuan që Bashkimi Evropian edhe më tutje të jetë aleati i tyre dhe partneri në luftën për demokratizimin e vendit. Në të kundërtën, sipas tyre, KE-ja bëhet pjesëmarrëse në shkeljen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës në Maqedoni.
Agron Vrangalla