Pas më shumë se tre muaj të bojkotimit të parlamentit, VMRO-DPMNE-ja opozitare kthehet në punimet e seancave të Parlamentit të Maqedonisë. Zoran Zaev Optimist për dialogun me opozitën
“Morëm vendimin që të marrim pjesë në punimet e Parlamentit që të luftojmë për çdo propozim që është në dobi të qytetarëve dhe të kundërshtojmë çdo masë të dëmshme dhe politikën antishtetërore që është duke u zbatuar nga shumica parlamentare”, ka thënë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duke deklaruar kthimin në parlament. Disa herë ishin kthyer deputetët e VMRO-DPMNE-së në seancat e parlamentit për të penguar miratimin e ligjeve të caktuara, siç ishte rasti me ligjin për përdorimin e gjuhëve, për të cilin parashtruan mbi 35 mijë amendamente, të cilat bllokuan punën e parlamentit.
Kërkesat e opozitës
Por kthimin në Parlament VMRO-DPMNE-ja e kushtëzon me disa kërkesa politike, para se gjithash me vendosjen në rend dite votëbesimin e Qeverisë. “Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të iniciojë votimin e mosbesimit të qeverisë, pasi nga ajo që kemi parë deri më tani bëhet fjalë për një qeveri me humbje të kredibilitetit. Deputetët e VMRO-së në detaje do të argumentojnë këtë qëndrim lidhur me qeverinë arrogante dhe anti-shtetërore që duhet të largohet sa më parë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Ai ka kërkuar sa më shpejt largimin e qeverisë. Po ashtu kjo parti i ka dërguar LSDM-së edhe një listë me kërkesa të tjera, të cilat pritet të publikohen gjatë javës.
Ligjet që kanë mbetur pa u miratuar, e që kërkojnë dy të tretat e votave, kanë të bëjnë me gjyqësorin, reformat në polici dhe shërbimet e inteligjencës, për zgjedhjet e organeve drejtuese të transmetuesit publik, agjencisë së medieve dhe ligje tjera në sferën sociale dhe administratën publike.
Analistët: Kthimi i VMRO-së përshpejton proceset reformuese
Analistët vlerësojnë se kthimi i VMRO-DPMNE-së në Parlament do të përshpejtojë proceset reformuese të domosdoshme për Maqedoninë drejt anëtarësimit në BE. Albert Musliu nga “Asociacioni për Iniciativa Demokratike” vlerëson se me kthimin e opozitës maqedonase në Parlament nuk pritet të përsëriten bllokimet e seancave siç ka ndodhur në të kaluarën. “Nuk besoj se për ligjet që dalin nga reformat urgjente prioritare të ketë filibustering, (diskutime pa fund). Parlamenti është skenë për promovimin e opozitës dhe qëndrimeve të saj, gjithsesi se do të ketë debate të nxehta, por nuk besoj se do të përsëritet bllokimi i punës.”
Ndërsa opinionisti Sasho Ordanovski thotë se kthimi i VMRO-së në Kuvend, do t’i ndihmojë shtetit demokratik, që në mënyrë më të relaksuar dhe urgjente, të merret me rastet gjyqësore, për të cilat opinioni pret përgjigje. “Kjo për VMRO-në në fakt do të thotë fillim i eliminimit nga partia të “kriminelëve” të Familjes. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e lodhshme, por nga diku duhet të fillohet. Në muajt e ardhshëm në fakt, do të shihet nëse kryetari i VMRO-DPMNE-së Mickovski, do të arrijë të mbijetojë politikisht, nëse ish- krerët e partisë përfundojnë në burg”, thotë opinionisti Sasho Ordanovski.
Zaev: Optimist për dialogun me opozitën
Kthimi i opozitës në Kuvend do të kontribuojë për funksionimin e demokracisë, mendon kryeministri Zoran Zaev. Ai e përshëndeti vendimin e Mickovskit, që t’i kthejë deputetët e tij në Kuvend për të marrë pjesë në debat. Zaev vlerëson se dialogu me opozitën është duke ecur në drejtim të mirë.
“Dialogu me opozitën në të vërtetë po lëviz pozitivisht.Grupet punuese po punojnë dhe për një pjesë të madhe të ligjeve reformuese është gjetur gjuhë e përbashkët që të mos them të gjitha. Kjo do të thotë se pritjet janë që deri më 17 prill, kur edhe do të vijë raporti për Maqedoninë, t’i votojmë këto ligje në Parlament” , shprehet kryeministri Zoran Zaev. VMRO-DPMNE-ja e kishte bojkotuar punën e Parlamentit të Maqedonisë që nga 13 dhjetori i 2017-s si shenjë revolte ndaj arrestimit të deputetëve të saj për sulmet e 27-prillit të 2017-s në parlament. (dw)