Opozita maqedonase kundër gjuhës shqipe në uniformat e policisë

PolicijaVendimi i Qeverisë që uniformat e policisë të jenë në dy gjuhë, në maqedonisht dhe shqip, ka shkaktuar reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, në veçanti tek opozita maqedonase, e cila e kritikon Qeverinë se në vend që të merret me çështjet ekonomike, ajo po merr vendime të tjera të panevojshme, sipas VMRO DPMNE-së.

Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se kryeministri Dimitar Kovaçevski është në gjendje, siç tha, që edhe në ballin e tij të shkruajë në tri apo pesë gjuhë, vetëm që të mos merret me problemet reale të qytetarëve.

“Unë do të befasohesha sikur dikush prej tyre të sillte këtu ndonjë fabrikë. Kjo që kanë bërë aspak nuk më befason pasi kryeministri Kovaçevski edhe në ballë mund të shkruajë në tri apo pesë gjuhë. E përsëris, do të befasohesha sikur ai të hapte ndonjë fabrikë të re, sikur të hapte vende pune, të rritej ekonomia, të kishte më shumë para, kjo do të më befasonte pasi nuk do të kishte skandale, të cilat i kemi çdo ditë”.

“Në rregull, ashtu kanë vendosur, por sa po bëjnë ata për problemet tjera, sa po i ndalojnë autobusët të mbushur plot me të rinj që mos të ikin nga vendi. Ata për punë tjera, sikur kjo që bënë, janë mjeshtër dhe fare nuk më befason”, ka deklaruar Mickoski.

Ndërkohë, partia e “E majta” duke komentuar vendimin, ka thënë se LSDM-ja e cila drejton Qeverinë është e “keqja më e madhe vendit, andaj edhe sipas saj, këtë që po bëjnë zyrtarët e saj do ta paguajnë me burgim pas ndërrimit të pushtetit.

“Lidhja Social Demokrate (LSDM) është e keqja më e madhe që i ka rënë ndonjëherë Maqedonisë. Do të kalbeni nëpër burgje kur të ndërrohet qeveria. Ju premtojmë publikisht”, ka shkruar Dimitar Apasiev në rrjetin social Facebook.

Vendimi që uniformat e policisë të jenë edhe në gjuhën shqipe, u mor në mbledhjen e Qeverisë të martën në mbrëmje dhe do të përfshijë të gjitha komunat ku mbi 20 për qind e popullsisë janë shqiptarë, përfshirë edhe Shkupin.

Vendimi hyn në fuqi tetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ndërsa do të fillojë të zbatohet brenda një viti nga hyrja në fuqi.

“Është një vendim që del nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. Vendimi do të nisë të zbatohet brenda një viti për shkak të nevojës për zëvendësimin e uniformave aktuale me të reja, pra kemi procedura tenderimi dhe më pas prodhimin e uniformave të reja”, ka deklaruar kryeministri Kovaçevski duke arsyetuar vendimin e Qeverisë.

dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se vendimi bazohet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Një tjetër detyrë e kryer me sukses konform Kushtetutës dhe Ligjit që reflekton zbatimin e përpiktë të parimeve të barazisë si garanci e progresit të vendit tonë”, ka thënë Ahmeti në një reagim me shkrim.

Por, Zijadin Sela nga opozita shqiptare ka thënë se vendimi për uniformat është i vonuar, ndërsa dyshon se mund të përjetojë dispozitat tjera të Ligjit për gjuhën, që sipas Selës, nuk janë zbatuar edhe tre vjet pas miratimit të Ligjit për gjuhët.

“Realisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për vonesën trevjeçare. Kuptohet se gishti gjithmonë duhet të drejtohet nga ata që i bënë një vonesë 15-vjeçare miratimit të këtij ligji, e të cilët janë 20 vjet në pushtet. Prandaj shpresoj që edhe ky vendim të mos ketë fatin e ligjit”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela duke përmendur moszbatimin e Ligjit për gjuhën në Gjyqësor, në Polici, në shumë sektorë të administratës, por edhe në institucione tjera.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në janar të vitit 2019.

Në institucionet qendrore, të gjitha tabelat janë në dy gjuhë, ndërsa në Qeveri dhe Kuvend, ministrat shqiptarë, deputetët si dhe kryetari i Kuvendit, përdorin gjuhën shqipe, ndërsa dokumentet publikohen në dy gjuhë.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>