Takimi i katër drejtuesve të partive më të mëdha në Maqedoni lidhur me zgjidhjen e krizës në vend, rezultoi pa marrëveshje. Takimi është një nismë e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund krizës disa-muajshe në këtë vend, që u shkallëzua nga skandali i përgjimeve. Drejtuesit politikë, siç bëhet e ditur, nuk kanë arritur të paraqesin as propozimet e tyre për zgjidhjen e problemeve.
Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni u takuan të hënën në një raund të dytë për të kërkuar një zgjidhje të krizës politike që ka kapluar vendin, por pa rezultat. Në takimin e ndihmuar nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, Jess Baily dhe Aivo Orav, ende nuk janë hapur temat e bisedimeve; madje drejtuesi opozitar Zoran Zaev ende nuk i quan bisedime.
Zoti Zaev bëri të ditur se nuk ka ndonjë përparim.
Ai thotë se fillimisht duhet sqaruar disa gjëra si parimi i barazisë së paraqitjes së propozimeve nga të gjithë pjesëmarrësit në takim:
“…Dhe të garantohet zbatimi i gjithë asaj që do të arrihet si marrëveshje”, thotë ai.
Ndërkohë, të marten në Strazburg do të mbahet një takim midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtuesit opozitar Zoran Zaev, me ndërmjetësimin e tre deputetëve të Parlamentit Evropian. Pastaj më 26 maj, përsëri do të takohen të katër drejtuesit e partive më të mëdha në Shkup.
Zoran Zaev bëri të ditur se nuk është arritur të hapen bisedimet lidhur me çështjen eventuale të një qeverie teknkie, ose kalimtare. “Kërksat tona, tha ai, janë të qarta, por nuk janë hapur në takim”.
Kërkesa e opozitës maqedonase ka të bëjë me një qeveri, e cila mund të jetë e përbërë nga ekspertë, nga administrata ose mund të jetë dhe politike, që do ta kthejë vendin drejt normalitetit dhe të krijojë kushte për zgjedhje të parakohshme, siç tha zoti Zaev.
Sipas burimeve të afërta me drejtuesit politikë nga takimi, mësohet që partitë e pushtetit VMRO dhe BDI të kenë shprehur gatishmëri për një riformatim të qeverisë, por kjo është e papranueshme për opozitën maqedonase. BDI, thuhet të ketë kërkuar formimin e një komisioni për hetimin e skandalit të përgjimeve.
Ndërkohë, ngjarjet e Kumanovës, edhe pse u bënë shkak për këto takime të shpejta të politikanëve me ndikim, megjithatë nuk jane fare temë e bisedës.
Ndërkohë, analistët mendojnë se pozita e zotit Zaev po vjen duke u forcuar sidomos pas protestës së të dielës ku u mblodhën mijëra njerëz në mbështetje të opozitës për rrëzimin e qeverisë dhe ku pati maqedonas e shqiptarë bashkë me flamuj kombëtarë; mbase hera e parë deri tash në një paraqitje të këtillë në Maqedoni.
Po sonte (e hënë), partia VMRO-DMNE e kryeminsitrit Gruevski do ta mbajë një miting para Parlamentit, ndërkohë që, nga ana tjetër, protestuesit e opozitës kanë ngritur tenda para ndërtesës së Qeverisë, ku po i kalojnë netët.
Maqedonia përballet me një prej krizave më të thella politike që nga shpallja e pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Pjesa dërrmuese e krizës ka ardhur si rezultat i akuzave të opozitës, se qeveria kishte përgjuar ilegalisht 20 mijë njerëz.
Të dielën, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një protestë kundër qeverisë në Shkup. Shumë prej tyre kanë ngritur një kamp përballë zyrave të kryeministrisë dhe janë zotuar se do të rrinë aty, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Gruevski. Sot në darkë pritet të organizohet një protestë në mbështetje të qeverisë.
Qindra përkrahës të opozitës e kaluan natën jashtë ndërtesës së qeverisë në Shkup nën kërkesat e vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit konservator Nikola Gruevski.
Protestuesit, të cilët thonë se kanë në plan të qëndrojnë aty për ditë me rradhë, po ashtu kanë bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Mbështetësit e opozitës e kaluan natën në tenda pas protestës së të dielës ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.
Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz.
Në këtë rajon të njohur për historinë e përgjakshme të konflikteve ndëretnike dhe paqëndrueshmërisë politike, zhvillimet kanë shkaktuar alarm si benda ashtu edhe jashtë atij vendi. (voa)