Në kohëra normale, bota tenton ta injorojë Maqedoninë dhe popullin e saj prej 2 milion banorësh, një e katërta prej të cilëve janë shqiptarë etnikë. Por momentalisht, bota nuk është duke e injoruar Maqedoninë, përkundrazi. Politikanët perëndimorë janë duke nxituar për në Shkup, Rusia është duke lëshuar paralajmërime dhe gazetat serbe deklarojnë vazhdimisht se “lufta po vjen”. “Rëndësia gjeopolitike është kthyer sërish në Ballkan,” thotë analisti Veton Latifi.
Kriza e Maqedonisë filloi me një mosmarrëveshje mes koalicionit. Për ruajtjen e paqes etnike, qeveritë përbëhen nga fituesi i partisë maqedonase dhe një parti shqiptare. Zgjedhjet e dhjetorit të kaluar i dhanë partinë nacionaliste maqedonase, VMRO-së, një avantazh të lehtë. Por pas dështimit të bisedimeve me VMRO-në, partia kryesore shqiptare, e kryesuar nga Ali Ahmeti, iu drejtua socialdemokratëve.
Më 1 mars, presidenti i Maqedonisë refuzoi t’i kërkojë Social Demokratëve të formonin qeverinë, duke thënë se kërkesat e shqiptarëve do të “shkatërronin” vendin. Social Demokratët, nga ana tjetër, e quajtën këtë vendim “grusht shteti”.
Çdo ditë të javës , mijëra maqedonas kanë demonstruar në mbështetje të presidentit. Shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Federica Mogherini, së bashku me shefin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atë të NATO-s, i kanë kërkuar vazhdimisht presidentit të rishikojë vendimin e tij.
Në nivel më të thellë, konflikti fillon që në vitin 2015, kur Social Demokratët filluan publikimin e audio-regjistrimeve të bisedave (të përgjuara nga shërbimet e inteligjencës), të cilat implikonin Nikola Gruevskin, në atë kohë kryeministër, në një skandal korrupsioni. Nën patronazhin e BE-së, u ngrit një zyrë e veçantë prokurorie por VMRO-ja tani pretendon se ajo drejtohet nga Social Demokratët.
Kohët e fundit përkrahësit e VMRO-së kanë akuzuar George Soros, një filantrop amerikan, i përfshirë në shumë teori konspirative, për komplot kundër tyre. Mogherini është sulmuar nga shtypi si “lodër në duart e Sorosit”, ndërkohë që kongresistët amerikanë kanë sulmuar Ambasadorin Amerikan në Republikën e Maqedonisë, gjithashtu si “lodër” e zotit Soros.
Por qendra e vërtetë e krizës është zoti Ahmeti, një ish-lider gueril. Ndarja e pushtetit me Gruevskin në vitin 2008, i kushtoi atij një pjesë të madhe të mbështetjes popullore. Ai thotë se zoti Gruevski nuk është dakord për zgjatjen e mandatit të prokurorit të posaçëm që është duke hetuar ndaj tij. Ndërkohë, partitë shqiptare i kërkojnë qeverisë të zbatojë marrëveshjen për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Sipas Radmilla Shekerinska, nënkryetarja e Social Demokratëve, zoti Gruevski nxiti qëllimsht krizën, kur e kuptoi se mund të humbiste pushtetin, gjë do ta ekspozonte ndaj prokurorit special që po e heton hap pas hapi.
Nuk është e vërtet – thotë Nikola Poposki, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, gjithashtu zyrtar i VMRO-së – Kërkesa e gjuhës shqipe, e pranuar nga Social Demokratët rrezikon unitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë.”
Ahmeti paralajmëron për kthimin, nga një krizë politike në një krizë etnike, duke thënë se edhe ai e ka të vështirë të mbaj nën kontroll radikalët nacionalistë të “skuadrës” së tij.
Ai hedh poshtë çdo plan për një Shqipëri Etnike dhe ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se është duke nxitur hap pas hapi, tensionet në Ballkan.
Mënyra më e mirë për të dalë nga kjo krizë është përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Paçi fat për këtë. /syri.net/