Përfundon pa marrëveshje takimi për Prokurorin Special

bisedimetEdhe pas bisedimeve të sotme intensive, partitë nuk kanë arritur marrëveshje përfundimtare rreth strukturës dhe organizimit të Prokurorit Special.

Palët mbeten afër, por mungon kompromisi rreth numrit të prokurorëve në prokurorinë speciale. LSDM-ja kërkon 12 prokurorë dhe kryeprokuror special, ndërsa BDI propozon që përveç prokurorit special të ketë edhe 8 prokurorë, prej të cilëve 3 shqiptarë. Bisedimet e sotme filluan me takime bilaterale mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së që në orën 15, ndërsa partitë shqiptare BDI dhe PDSH janë bashkëngjitur në takim pas orës 18. Varësisht nga takimi i nesërm, mund të pritet që propozim ndryshimet ligjore të dorëzohen në Kuvend gjatë ditës së nesërme. Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Aivo Orav u shpreh optimist për arritjen e marrëveshjes në orët e ardhshme, ose më së voni ditëve në vijim. Ai tha se nuk ka plan B dhe se prokurori duhet doemos të fillojë me punë më 16 shtator.

‘Mbeten edhe disa çështje dhe shpresoj që nëse jo në disa orët e ardhshme, atëherë në disa ditët e ardhshme këto çështje do të zgjidhen në mënyrë konstruktive dhe në interes të vendit. Kështu që, më 15 shtator do të arrihet marrëveshje, ndërsa më 16 shtator prokurori i ri special do të fillojë me punë’, u shpreh Aivo Orav, ambasador i BE-së në Maqedoni.

Pas zgjidhjes së çështjes së prokurorëve në kuadër të prokurorisë speciale, palët do t’i shfrytëzojnë ditët në vijim për të diskutuar rreth emrit të kryeprokurorit special dhe të prokurorëve që do të zgjidheshin. Pritet që deri më 15 shtator edhe emrat të dorëzohen dhe votohen në Kuvend. Deri tani partitë nuk spekulojnë asnjë emër për kandidat të mundshëm për postin e kryeprokurorit special. Nëse nuk ka kompromis mes partive, nuk përjashtohet mundësia që propozimet të vijnë nga faktori ndërkombëtar.

Benjamin Arifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>