Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj pesë personave për shkatërrimin e paligjshëm një vit më parë të dy sistemeve të përgjimit në pronësi të Ministrisë së Brendshme në Maqedoni.
I dyshuari kryesor është shefi i një drejtorie të rëndësishme, kreu i Agjencisë së Kundërzbulimit, Goran Grujovski. Prokuroria posedon dëshmi se në këtë rast është e përfshirë edhe ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska.
“Për të mbuluar personat që kanë bërë përgjimet e paligjshme, i dyshuari kryesor ka urdhëruar verbalisht drejtuesit e njësive të tjera që të dorëzojnë një raport për gjendjen e pajisjeve të përgjimit. Ky raport do t’i shërbente më vonë të dyshuairt që të provonte nevojën për shkatërrimin e atyre pajisjeve të përgjimit”, deklaroi prokurorja Lençe Ristoska.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që të dyshuarit të parë t’i caktohet masa e paraburgimit, ndërsa për katër të tjerët ka kërkuar t’u merren pasaportat dhe t’u caktohet masa “detyrim paraqitjeje” në gjykatë një herë në javë.
“Procesi hetimor për të zbuluar se kush ka kryer përgjime në Maqedoni po vijon. Ne besojmë se, pavarësisht shkatërrimit të sistemit të përgjimeve do të gjejmë një mekanizëm apo mënyrë për të siguruar prova se kush i ka kryer ato”, nënvizoi prokurorja Ristoska.
Pajisjet e përgjimit janë shkatërruar më 28 mars të vitit të kaluar, pak ditë ditë pasi opozita maqedonase kishte filluar publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë.
/ Top Channel