Të shtëna të shumta kanë tmerruar për rreth dy orë banorët e Kumanovës, në Maqedoni, mëngjesin e së shtunës. Krismat me armë zjarri dhe helikopterët që kanë fluturuar mbi qytet kanë krijuar një atmosferë lufte.
Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për një përleshje të armatosur që ka nisur rreth orës 5 të mëngjesit mes focave të policisë maqedonase dhe një grupi të armatosur.
Përleshja është zhvilluar në “Lagjen e Trimave”, të banuar me shqiptarë, që ndodhet rreth 700 metra nga qendra e qytetit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, tha se policia ka ndërmarrë një aksion pas informacioneve për lëvizje të një grupi të armatosur në atë pjesë të Kumanovës.
Aktualisht, në këtë lokalitet janë stacionuar forca të shumta të policisë, që kanë bllokuar rrugët drejt lagjes ku ka ndodhur përleshja. Autoritetet zyrtare nuk japin asnjë informacion mbi ngjarjen dhe nuk bëhet e ditur për të lënduar, të paktën deri tani.
Nga videot amatore që janë shfaqur në internet, në disa shtëpi shihet duke dalë tymi. Të shtënat kanë pushuar. / Top Channel