Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka dorëzuar nismën e nënshkruar nga 67 deputetë për vazhdimin e seancës konstituive të parlamentit. Partia i kërkon kryetarit në detyrë të parlamentit, Trajko Velanovski që sa më parë ta thërrasë seancën, në të cilën do të zgjidhej kryetari i ri. Nismën e kanë firmosur ligjvënësit e LSDM-së, të BDI-së, Lëvizjes “Besa” dhe të Aleancës për Shqiptarët.
Për këtë nuk ka një afat të caktuar kushtetues se kur duhet të thirret seanca, ndërsa përfaqësuesi i LSDM-së, Oliver Spasovski, i cili e dorëzoi nismën, theksoi se pret që kjo të ndodhë menjëherë.
Së pari, duhet të caktohet një bashkërenditje e përfaqësuesve të partive të përfshira në parlament që do të rezultojë në formimin e komisionit parlamentar për emërime dhe mandate. Ky komision do ta propozojë kryetarin e ri të parlamentit, i cili miratohet me shumicën e thjeshtë prej 61 votash. Sipas pritjeve dhe burimeve brenda partive, kryetari i ri i parlamentit të Maqedonisë do të jetë një shqiptar, nga përbërja aktuale e ligjvënësve të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka refuzuar t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate me partitë shqiptare, me arsyetimin se ato do të rrezikonin sovranitetin e shtetit dhe të popullit duke zbatuar atë që ai dhe partia VMRO-DPMNE e quajnë “platforma e Tiranës”, e që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së partive shqiptare është zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelin e pushtetit qendror. LSDM së fundmi ka paraqitur programin qeverisës, megjithëse pa praninë e partnerëve të ardhëshëm shqiptarë, por aty megjithëse parashikohet zgjerimit i përdorimit të shqipes në më shumë fusha, nuk lejohet dygjuhësia në polici as në ushtri.
Shqiptarët duken të zhgënjyer paksa me ndryshimin e qasjes së LSDM-së sa i përket gjuhës, por kjo mbase do të jetë çështje debatesh midis partive të koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Nga ana tjetër, LSDM është shprehur e prerë se nuk do të bëjë ndryshime kushtetuese. Por, kjo nuk ka mjaftuar që protestuesit e mbështetur nga VMRO-ja t’i ndërpresin protestat rrugëve të Shkupit dhe të disa qyteteve të tjerë për të shprehur kundërshtimin ndaj instalimit, sipas tyre, të dygjuhësisë që do të çonte drejt fedralizimit dhe ndarjes së Maqedonisë.
Të marten në Shkup pritet të vijë komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn. Zoti Hahn, verën e kaluar ka ndërmjetësuar Marrëveshjen e Përzhinës ndërmjet katër partive më të mëdha në Maqedoni, e cila u bë pikënisje e disa ndryshimeve dhe reformave gjyqësore, ndër më të rëndësishmet formimi i Prokurorisë së Posaçme, një organ që po heton rastet e shumta që kanë të bëjnë me përgjimet e paligjshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe të politikanëve të dyshuar për manipulime zgjedhore dhe vepra të tjera kriminale. (voa)