Mbështetja për integrimin evropian, marrëveshja FRONTEKS dhe përballja me krizën energjetike janë në fokus të vizitës në vend të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pas një vonese katërvjeçare, Shkupi dhe Brukseli sot nënshkruajnë marrëveshjen FRONTEKS, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve.
Dispozitat e marrëveshjes tashmë janë duke u zbatuar në kufirin e Maqedonisë së Veriut, por nënshkrimi zyrtar ende nuk ka ndodhur për shkak të vetos bullgare. Pasi Maqedonia dhe Bullgaria dhanë deklarata të njëanshme në Konferencën Ndërqeveritare në korrik me kuptimin e gjuhës maqedonase, tani Sofja po jep dritën jeshile. Ky është dokumenti i parë që shteti e nënshkruan me Bashkimin Evropian në gjuhën maqedonase.
“Nënshkrimi i marrëveshjes për statusin e FRONTEX paraqet një hap tjetër në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Do të sjellë përfitime praktike duke përmirësuar sigurinë kufitare të vendit. Marrëveshja është në gjuhën maqedonase, si dhe në të 24 gjuhët e BE-së dhe të gjitha versionet gjuhësore janë njëlloj të vlefshme”, njoftojnë nga Misioni i BE-së në Shkup.
Siç thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Shkup, von der Leyen do të theksojë rëndësinë që Bashkimi i jep rajonit, si dhe përkushtimin për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, tema qendrore do të jetë energjetika.
“Von der Leyen do të paraqesë mbështetjen shtesë që BE do t’i japë Maqedonisë së Veriut dhe rajonit për të ndihmuar në zbutjen e ndikimeve të krizës aktuale energjetike. Duke punuar së bashku, BE-ja dhe Maqedonia e Veriut do të përpiqen të trajtojnë sfidat aktuale në sektorin e energjisë dhe të zvogëlojnë ndikimin e tyre ndaj vendit dhe qytetarëve të tij”, thonë nga Misioni i BE-së në Shkup.
Shkupi është ndalesa e parë e turneut ballkanik të Von der Leyen. Ajo nesër do të udhëtojë për në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa të shtunën do ta vizitojë edhe Sarajevën, Beogradin dhe Podgoricën.
alsat