Pritshmëritë për vitin 2023 në Maqedoninë e Veriut

ShkupiNjohësit e rrethanave ekonomike dhe politike në Maqedoninë e Veriut nuk kanë shumë shpresa se viti 2023 do t’iu sjellë më tepër mirëqenie qytetarëve se sa viti që sa po e lamë pas. Ngritja e çmimit të produkteve të shportës dhe shërbimeve, inflacioni dhe nga ana tjetër pasiguria politike e thellojnë pesimizmin e tyre. Në rrafshin politik, sfida kryesore shikohet ajo e rishqyrtimit të Kushtetutës që paraqet kusht për avancimin e vendit drejt integrimit në BE.
Hyrije Abazi Halili, dekane e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se është vështirë të bëhen parashikime pozitive lidhur me zhvillimin ekonomik pas ndikimit nga kriza e Pandemisë së koronavirusit, nga kriza energjetike dhe trysnitë e inflacionit. Ajo thotë se ndikimi nga lufta në Ukrainë dhe për rrjedhojë kriza energjetike e ndërprenë rritjen ekonomike në Maqedoninë e Veriut duke shkaktuar një paraqitje të inflacionit dhe ngritje të çmimeve të konsumit te gjerë.

“Rritja ekonomike për vitin 2023 parashihet të jetë 2.3% sipas BERZH, ndërsa sa i përket inflacionit Banka Qendrore (e Maqedonisë së Veriut) pret që vitin e ardhshëm çmimet e importit të shënojnë një ulje, gjë që do të sjell edhe deri tek ulja e presionit mbi inflacionin e brendshëm. Në pritshmëri të tilla norma e inflacionin pritet diku të jetë mesatare nga 8% deri 9%, në varësi të rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregun e rregulluar. Të gjitha këto parashikime do t’i kishim emëruar si optimiste për vitin 2023, mirëpo janë edhe të mundshme. Ndonëse, një element apo një fenomen, i cili edhe pritet të paraqitet në ekonominë globale, por edhe në atë të Maqedonisë së Veriut është pabarazia ekonomike, e cila pritet të thellohet, përpos nëse nuk merren disa masa që do të ishin konstruktive në drejtim të rindërtimit dhe rikthimit të besimit të konsumtorëve dhe bizneseve”, thotë profesorja Abazi Alili.

Ndërkohë, shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë pesimistë se ky vit do të jetë më i mirë se i kaluari. Sipas një sondazhi të Agjencisë Gallup International 80 për qind e të anketuarve mendojnë se viti 2023 do të jetë edhe më i vështirë apo njësoj si viti që lamë pas për sa i përket gjendjes së tyre ekonomike.

Pesimizmi duket se thellohet në këto muaj dimri kur bëhen paralajmërime për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, ndërsa furnizimi me lëndë për ngrohje paraqet problem për shumë familje.

Në aspektin politik, parashikimet e analistëve nuk janë aq optimiste për përmirësimin e gjendjes. Xhelal Neziri vlerëson se edhe viti 2023 do të jetë i paqendrueshëm politikisht, ndërsa si sfidë kryesore e shikon nevojën e ndryshimeve kushtetuese si kusht për avancimin e Maqedonisë së Veriut në bisedimet me Bashkimin Evropian.

“Mungesa e dy të tretës së votave të deputetëve në parlament dhe mungesa e një vullneti politik për konsensus rreth kësaj çështjeje që është një nga dy orientimet strategjike të vendit, mund të prodhojë kriza të reja politike. Këto kriza do të ndodhnin në situata jo të lakmueshme edhe në aspektin e brendshëm edhe në kontekstin gjeopolitik në të cilin ndodhet vendit, i krijuar pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Prandaj, pres një vit të bujshëm në spektin politik”, thotë analisti.

Zoti Neziri vlerëson se përplasjet brenda disa partive politike do të mund të rezultojnë me krijimin e subjekteve të reja politike që do ta vështirësonte edhe më shumë arritjen e numrit të nevojshëm prej dy të tretave në parlament për rishikimin e Kushtetutës, përkatësisht futjen në të të pakicës bullgare.

“Mendoj se liderët politikë të partive kryesore do të bashkohen rreth orientimit strategjik për integrim në BE, që ka mbi 90% të mbështetjes së qytetarëve dhe të votojnë ndryshimet kushtetuese. Mëpastaj, se a do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare apo do të mbahen si të rregullta pas disa muajsh, është çështje e politikës së brendshme të vendit; Mirëpo, obligimet e marra nga marrëveshjet ndërkombtare, marrëveshjet dypalëshe një shtet serioz duhet t’i përmbushë”, thotë zoti Neziri.

Nga ana tjetër, autoritetet qeveritare shprehën bindjen se vendi gjatë këtij viti do të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian, ndërkohë që theksojnë shpresat edhe për përmirësimin e ekonomisë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>