Në Maqedoni nuk përjashtohet mundësia që Prokurori Special të jetë nga radhët e ekspertëve ndërkombëtarë.
Gjasat janë të mëdha që në këtë detyrë të vjen një ekspertë ndërkombëtar i propozuar nga BE dhe i përkrahur edhe nga SHBA, mëson INA.
Burime partiake pranë partive negociatore në Shkup deklaruan për INA se në rast se katër partitë VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH nuk pajtohen rreth emrave të propozuar të ekspertëve vendor për prokuror special, atëherë si kompromis pritet të propozohet një ekspertë ndërkombëtarë.
“Për momentin nuk ka ndonjë propozim të shpalosur nga partitë, por mendoj se vështirë do të arrihet kompromisi për një kandidat nga radhët e ekspertëve vendor. Mosmarrëveshjet do të shpërthejnë midis VMRO-DPMNE dhe LSDM, të cilat për çdo kandidat do shfaqin mosbesimin e tyre me dyshimet se ai mund të jetë i afërt me ndonjërën prej tyre. Por nga ana tjetër, do të jetë vështirë që një gjykatës apo ekspert vendor i drejtësisë të marrë përgjegjësinë për këtë post”, theksoi për INA, një përfaqësues i partive negociatore për implementimin e marrëveshjes për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.
Ndërkombëtarët e kanë të qartë këtë situatë dhe se ata kanë kartën e tyre të gatshme për të vepruar duke nxjerrë një emër të një eksperti ndërkombëtar, i cili do të merret me hetimet e ndjeshme që kanë të bëjnë me aferën e përgjimeve.
Prokurori Special është pjesë e marrëveshjes politike midis katër partive kryesore politike në Maqedoni. Zgjedhja e tij do të duhet të bëhet deri më 15 shtator, ndërsa funksionimi i tij do të ketë edhe bazë kushtetuese, pasi që partitë do të ndryshojnë kushtetutën për emërimin e tij.
Prokurori special do të merret me hetimin e aferës së përgjimeve të shpalosur nga lideri opozitar maqedonas Zoran Zaev, një dosje voluminoze që përmban biseda të përgjuara të pushtetit, ku shfaqen dyshime për manipulime, korrupsion dhe krime të ndryshme. Përveç kësaj, prokurori special do të merret edhe me hetimin e rastit “Puç”, që ka të bëjë me akuzën e ngritur kundër liderit opozitar Zaev nga ana e pushtetit aktual, me akuzën për spiunim dhe bashkëpunim me shërbime të huaja sekrete për rrënimin i sistemit të sigurisë të vendit dhe organizimin e një puçi në shtet. (INA)