Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë ka theksuar se mbetet e vendosur për të vazhduar punën e saj në përputhje me ligjin për të hetuar rastet që dalin nga materialet e nga bisedat e përgjuara edhe përkundër vendimit të presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov, për të falur të gjithë politikanët për të cilët ky institucion ka nisur hetimet.
“Pavarësisht nga zhvillimet të fundit Prokuroria Speciale do të vazhdojë të punojë në përputhje me ligjin për të hetuar rastet që dalin nga materialet e përgjimeve”.
Misioni i Prokurorisë Speciale Publike është që përmes ligjeve, të mbrohen qytetarët e Maqedonisë. Jam e bindur se drejtësia do të fitojë. Perceptimi i publikut është se ne si institucion jemi shumë efikas në punën tonë, dhe më duhet të theksoj edhe një herë se ne do te vazhdojmë të punojmë sipas ligjit”, është shprehur prokurorja speciale, Katica Janeva.
Prokurorja Fatime Fetai nga Prokuroria Speciale, ka shpalosur detaje rreth nisjes së hetimeve që kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare nga kryetari i Komunës së Manastirit, me dije të ministrit të Financave dhe ministres së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.
“Në bazë të marrëveshjeve të paligjshme që i ka bërë kryetari i Komunës së Manastirit për transportimin e nxënësve në këtë qytet në mënyrë të paligjshme, shteti është dëmtuar për qindra mijëra euro“, ka theksuar prokurorja Fatime Fetai.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që të ngrihet pasuria e të gjithë zyrtarëve të lartë të shtetit për të cilat ky institucion ka ngritur procedurë hetimore, madje edhe ata të cilët i ka falur presidenti i shtetit.
“Amnistia nga ana e presidentit nuk vlen edhe për pasurinë e personave që dyshohen se kanë bërë vepra kriminale. Kështu që nëse konfirmohet se ata kanë përfituar në mënyrë joligjore, pasuria e tyre do të konfiskohet. Asnjë person nuk mund të ikë nga konfiskimi i pronës që e ka përfituar në mënyrë kriminale duke dëmtuar buxhetin”, ka theksuar prokurorja Lence Ristovska, pjesë e ekipit të Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale Publike ka qenë e prerë se tre prokurorët e këtij institucioni të përfshirë në amnistinë e presidentit Gjorge Ivanov, nuk e pranojnë këtë vendim duke e cilësuar faljen si ofendim për prokurorët.
“Futja me një thes me persona për të cilët ne kemi argumente që na tregojnë se janë të involvuar në vepra serioze kriminele është shkelje e dinjitetit të prokurorëve”, është shprehur prokurorja Lençe Risotvska.
Në listën e personave të cilët i ka amnistuar presidenti Ivanov është ish kryeministri Nikolla Gruevski, drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov, ish ministrat Mile Janakeivski, Gordana Jankullovska, si dhe ish lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Branko Cërvenkovski, lideri aktual i kësaj partie Zoran Zaev, lideri i partisë shqiptare Demokratike Menduh Thaçi, Bedredin Ibrahimi anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Në konferencën për shtyp të Prokurorisë Speciale kanë marë pjesë edhe ambasadorët e vendeve të BE-së dhe ai i SHBA-së.
Ambasadori amerinkan në Maqedoni Jess Baily dhe ai i BE-së Aivo Oravparaprakisht kanë realizuar një takim me presidentin e maqedonisë Gjorgje Ivanov.
Pas këtij takimi diplomatët nuk janë pronocuar për mediat.
Ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily në rrjetin social Twitter ka shkruar:
“Falja masive mund të llogaritet si mosndëshkim dhe është njësoj sikurse pengesa për zgjedhje të besueshme dhe pengesa për rrugën euro-atlantike të vendit. E drejtë fundamentale e demokracisë janë protestat paqësore, e jo ato vandaliste dhe të dhunshme”.
— Amb. Jess Baily (@AmbBaily) April 14, 2016
Ndërkohë që 80 organizata jo qeveritare, ambasadorit amerikan dhe atij të Bashkimit Evropian i kanë dorëzuar për të tretën herë qëndrimin e tyre se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 25 qeshor.
Ndryshe lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski ish kryeministër, ka mbrojtur qëndrimin se presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov me vendimin e tij të fundit për të falur politikanët për të cilët Prokuroria Speciale ka nisur hetime, nuk e ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin.
Gruevski tha se partia e tij distacohet nga ky vendim i Presidentit, sipas të cilit ky vendim i Ivanovit i ndihmon vetëm LSDM-së dhe Zaevit.
“Ai që është zhytur në kriminalitet duhet të përgjigjet. Askush në VMRO DPMNE nuk ndjehet fajtorë“, ka thënë Gruevski.
Përderisa, lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev u ka bërë thirrje pjesëtarëve të forcave të sigurisë që të mos përdorin dhunë ndaj protestuesve.
Disa mijëra qytetarë dolën për të protestuar të mërkurën kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të amnistuar politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale, me ç’rast kanë djegur Zyrën Popullore të Presidencës së Maqedonisë si dhe kanë demoluar pjesë të Ministrisë së Drejtësisë. (rel)