Të enjten në mbrëmje në Shkup u zhvillua protesta e shoqërisë civile me pjesëmarrjen e disa mijëra qytetarëve, të cilët kundërshtojnë vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov, për të falur një numër politikanësh dhe bashkëpunëtorësh të tyre të dyshuar për manipulime zgjedhore, korrupsion dhe vepra të tjera penale.
Protestuesit mbështesin Prokurorinë e Posaçme, e cila ka hapur disa raste kundër ish-ministrave dhe funksionarëve në pushtet.
Nga ana tjetër, disa mijë veta kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Maqedonisë të organizuar, në mbështetje të qeverisë. Një organizatë që veten e quan Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë, e njohur për afërsinë me partinë VMRO-DPMNE, tuboi para parlamentit të vendit në Shkup përkrahësit e kësaj partie për t’u dhënë mbështetje politikave qeveritare dhe për të kundërshtuar protestuesit e palës tjetër. Protestat kaluan pa incidente, ndërsa policia kishte bllokuar rrugët për të parandaluar përplasjet e mundshme.
Situata në Maqedoni kishte nxitur komisionarin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn të ftojë jë takim të katër drejtuesve të partive kryesore politike në Maqedoni. Por, takimi që ishte paralajmëruar për të premten në Vjenë, u anulua, meqë kryetari i LSDM-së në opozitë, Zoran Zaev tha e nuk do të marrë pjesë përderisa nuk tërhiqet vendimi i presidentit dhe nuk shtyhen zgjedhjet e paralajmëruara për datën pesë qershor.
Komisionari Hahn në një kumtesë tha se “në mungesë të përparimit, komuniteti ndërkombëtar detyrohet të shqyrtojë masa të tjera për plotësimin e kërkesave nga institucionet evropiane. Ne vazhdimisht kemi thënë se anulimi i Marrëveshjes së Përzhinës do të ketë pasoja shumë të rënda për vendin. Na vjen shumë keq për hapat regresiv që e zmbrapsin vendin nga aspiratat për anëtarësim në BE”, thuhet në letrën e zoti Hahn. (voa)